Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës ngre barrikadat
Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës bllokon rrugën që lidh qytetin e Vlorës me zonën ku ka nisur ndërtimi i depozitave të naftës. Një përfaqësi e aleancës, së bashku me biznesmenë, anëtarë të Këshillit Bashkiak të Vlorës dhe studentë, ka marshuar për të bllokuar rrugën që përshkojnë makineritë e rënda që po vazhdojnë punën për ndërtimin e "La Petrolifera"-s. Ata kanë bllokuar të tërë segmentin nga Vlora deri në Zvërnec, si dhe në vendin ku ka qenë uzina e sodës kaustike. Kanë bërë qëndresën e tyre që ka filluar që në orën 10:00 të paradites së djeshme dhe do të jetë, sipas organizatorëve, një bllokim 24 orësh. Rreth 200 persona, përfaqësues të AMGJ-së, si dhe të ardhur nga Tirana dhe studentë të universitetit "Ismail Qemali", kanë bllokuar rrugën me makinat e tyre dhe më pas kanë shpalosur një pankartë ku shkruhej "Rezistencë deri në Referendum". Protestuesit kanë përdorur disa goma makinash për të bllokuar rrugën kryesore që të çon për te kantieri i "Petrolifera"-s. Më pas, një grup studentësh kanë lidhur njëri-tjetrin me zinxhirë dhe janë kyçur me brava në barrikadë. Përfaqësuesi dhe kryetari i Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, Rezart Aliraj, është shprehur se "Vlorën tonë të dashur, këtë perlë të Shqipërisë, do ta mbrojmë me çdo kusht e mënyrë dhe nuk do të lejojmë askënd të tallet me fatet dhe me qytetarët e Vlorës. Ne jemi mbledhur këtu për të protestuar për shkatërrimin që po i bëhet qytetit tonë nga termocentralet e ‘Petrolifera‘-s dhe nga naftësjellësi AMBO. Ne me mjetet tona demokratike do ta ndalojmë këtë të keqe që i vjen Vlorës nga ndërtimi i këtyre veprave me naftë, shkatërruese për shëndetin tonë, të fëmijëve dhe qytetarëve të Vlorës". Kreu i aleancës ka deklaruar se bllokimi i rrugës do të zgjasë për rreth 24 orë, gjatë të cilave nuk do të lejohet asnjë mjet i tonazhit të rëndë që të vazhdojë punën për ndërtimin e "Petrolifera"-s. "Ne kemi bërë gati dhe grupet, të cilët do të rrinë 24 orë këtu, për të bërë të mundur që asnjë mjet të mos kalojë rrugën për të shkuar në kantierin e ‘Petrolifera‘-s", tha Aliraj.