E Diel, 1 Nëntor 2026

Al Kaeda kërcënon Kryeministrin Braun

Al Kaeda kërcënon jetën e Kryeministrit britanik Gordon Braun. Policia britanike ka nisur hetimet mbi një kërcënim të mundshëm të Al Kaedës, drejtuar Kryeministrit britanik, Gordon Braun, në prag të nisjes së tij për një turne në Kinë dhe Indi. Hetimet nisën pas pretendimeve të një faqeje interneti islamike që njoftonte ngritjen e një dege të Al Kaedës në Britaninë e Madhe. Faqja www.alekhlaas.net flet për krijimin e celulës së Al Kaedës në Britani. Mesazhi mban datën 2 janar dhe u kërkon myslimanëve të rinj të ngrihen kundër të pafeve si Gordon Braun dhe ish-kryeministri britanik Toni Bler. Edhe pse kërcënimi konsiderohet "frymëzues", Pauline Neville-Xhons, ish-shefe e komitetit britanik të zbulimit, tha: "Një mesazh i tillë nuk duhet injoruar. Ndoshta nuk është një kërcënim i një celule ekzistuese, por përfaqëson gjithsesi një lëvizje propagandistike dhe loja e propagandës është diçka që nuk duhet injoruar. Kjo, mbi të gjithë, është një përplasje ideologjike". Faqja e internetit mbante edhe një katalog mesazhesh islamike, thirrjesh dhe shkrimesh dhe është klikuar nga më shumë se 17 milionë njerëz. Në mesazh thuhet se kjo celulë e re e Al Kaedës do të ndërmarrë edhe një seri sulmesh kundër Britanisë së Madhe dhe interesave të saj. Më tej u bëhet thirrje myslimanëve britanikë që t‘i bashkohen kësaj celule dhe të mbledhin trupa e fonde për të luftuar ata që i quajnë pushtues amerikanë e britanikë. Ndërkohë, zëdhënësi i Downing Street ka theksuar se qeveria e Kryeministrit Braun është e vendosur të luftojë të gjithë ata që inkurajojnë terrorizmin duke përcjellë mesazhe të tilla në internet. Ky kërcënim vjen në një kohë kur Kryeministri britanik, Gordon Braun, lë vendin për një turne në Kinë dhe Indi, dy gjigandët aziatikë që ai i viziton për të parën herë në cilësinë e kreut të qeverisë. Bisedat për bashkëpunimin mbi sigurinë globale dhe luftën kundër terrorizmit do të jenë në krye të axhendës së tij në të dyja këto ndalesa. Britania e Madhe ka shënuar një rritje të sulmeve të militantëve islamikë që pasi iu bashkua Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën në Afganistan dhe Irak, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Uashington. Në korrik 2005, kamikazët hodhën veten në erë në mënyrë të koordinuar në disa pika kyçe të sistemit të transportit në Londër, duke u marrë jetën 52 personave. Disa komplote të tjera janë zbuluar dhe ndaluar nga policia, përfshirë edhe një përpjekje për një sulm me autobombë në Londër dhe Glasgou, qershorin e shkuar. Zyrtarët e sigurisë ndërkohë thonë se Britania e Madhe është e vetëdijshme për rrezikun që i kanoset asaj nga Al Kaeda dhe niveli i sigurisë në vend është i lartë. Shefi i agjencisë së brendshme të zbulimit, MI5, Xhonatan Evans, tha nëntorin e shkuar se agjencia kishte dijeni se të paktën 2 mijë individë me qëndrim në Britani përbënin kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare për shkak të mbështetjes së terrorizmit apo përfshirjes në të. Edhe fëmijë, edhe nën moshën 15 vjeç, po rriten dhe përgatiten për të kryer sulme vetëvrasëse, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›