Burgjet, kërkohet ndërhyrja e Berishës
Gjendja në sistemin e paraburgimit dhe në spitalin e burgut është emergjente dhe për këtë arsye, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) ka kërkuar ndërhyrjen e Kryeministrit Berisha. Në funksion të informimit, KSHH i ka dërguar një letër në formë raporti kreut të Ekzekutivit shqiptar, ku i bën me dije disa nga problemet kryesore që janë vërejtur gjatë monitorimit që u është bërë dhomave të paraburgimit në Berat, Vlorë, Krujë, Kukës, Tropojë, Korçë dhe Peqin, si dhe në Spitalin e Burgut në Tiranë. Duke e vlerësuar si mjaft të vështirë situatën e krijuar, KSHH i është drejtuar Kryeministrit, duke shprehur besimin se vetëm ndërhyrja e tij mund të shërbejë për të ndryshuar shpejt këtë situatë.
Spitali i burgut
"Në Qendrën Spitalore të Burgjeve ndodhen 83 persona me probleme psikike. Për 73 persona ishte marrë masa e mjekimit të detyruar, ndërsa për 10 persona të tjerë pritej ekspertiza mjeko-ligjore. Kjo qendër nuk ka mundësi për trajtimin e këtyre të sëmurëve, se nuk është e specializuar dhe e ngarkuar me ligj të bëjë trajtimin e të sëmurëve mendorë që kryejnë vepra penale", thuhet në letrën e KSHH. Sipas këtij raporti, kapaciteti i spitalit të burgut është 110 persona, por aty aktualisht ndodhen 130 veta. Me gjithë përpjekjet e personelit, kjo qendër ka nevojë për pajisje dhe aparatura mjekësore që bëjnë të mundur trajtimin e sëmundjeve të ndryshme si: skopi, grafi etj. "Në sektorin e paraburgimit në Peqin ndodheshin 40 të sëmurë mendorë, me diagnoza të ndryshme, përfshirë edhe skizofreni, si dhe të sëmurë në mosha tejet të vjetra", vijon letra e KSHH. Për të ndryshuar situatën në këtë drejtim nuk kanë munguar edhe sugjerimet, ndër të cilat më kryesorja mbetet vënia sa më shpejt në funksionim e një qendre të specializuar për të sëmurët mendorë në qytetin e Durrësit, e cila megjithëse ka 2 vjet e gjysmë që ka nisur, nuk ka përfunduar ende.
Shërbimi mjekësor në paraburgim
Sipas monitorimit të KSHH, dërguar Kryeministrit të vendit, "në paraburgimet e Tropojës, Kukësit dhe Vlorës nuk ka mjekë. Ndërsa në Tropojë, Kukës dhe Korçë mungonte shërbimi stomatologjik dhe personat e arrestuar duhet të paguanin vetë shërbimet private dentare; në paraburgimet e Tropojës dhe Kukësit mungonin totalisht medikamentet, ndërsa në Korçë dhe Vlorë kishte shumë pak prej tyre". Për shkak të mungesës së mjekëve, stafi i këtyre institucioneve nuk ofron shërbimin e duhur, sidomos në raste urgjence.
Kushtet dhe ushqimi
Sipas KSHH, në disa nga paraburgimet e monitoruara mungojnë deri edhe krevatet. "Çarçafët dhe dyshekët (në disa vende të vendosura direkt në dysheme) në institucionin e paraburgimit Tropojë, Korçë dhe Vlorë ishin të vjetruara dhe të papastra", thuhet në letrën drejtuar Kryeministrit. Në Tropojë shiu dhe bora rridhnin brenda dhomave, duke shkaktuar lagështi të theksuar me pasoja të dëmshme për shëndetin e personave të paraburgosur. Ndërkaq, shqetësim vazhdon të mbetet ushqimi, pasi në të gjitha institucionet e paraburgimit të vëzhguara, me përjashtim të Korçës, vazhdonte të zbatohej norma e vjetër ushqimore.