"E padrejtë TVSH-ja mbi shkollat private"
Arsimi privat në vend parashikohet të tatohet njëlloj si çdo biznes tjetër, pa marrë parasysh faktin se kjo sipërmarrje ka të bëjë me të ardhmen e fëmijëve. Kuvendi ka miratuar ditët e fundit të vitit që lamë pas, ligjin për TVSH-në, ku tatohet 20 për qind shkolla dhe libri. Por, Shoqata në Mbrojtje të Arsimit Jo Publik proteston. Në një letër publike, ata i kërkojnë Presidentit, Bamir Topi, të mos ta dekretojë këtë ligj. Sipas tyre, me këtë ligj e ardhmja e arsimit jopublik është e pasigurtë, për të mos thënë se ka gjasa që nuk mund të funksionojë më. Lidhja Shqiptare e Arsimit Jo Publik bën me dije se më datën 27 dhjetor 2007, ka kaluar në Kuvend me procedurë të përshpejtuar dhe pa u konsultuar me grupet e interesit ligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin numër 7928 datë 27.041995".
Sipas ligjit të sapomiratuar, të gjitha institucionet private arsimore duhet të paguajnë TVSH. Në letrën e tyre për Topin, ata shprehen se "për ne është një barrë tejet e rendë dhe me pasoja shkatërrimtare". Sipas shoqatës, ky ligj nuk shkon në rrugën e ndihmës, inkurajimit dhe forcimit të institucioneve jopublike të arsimit në Shqipëri. "Për të gjitha këto, ne ju kërkojmë që të mos ta dekretoni këtë ligj, i cili do të ketë pasoja tejet negative në fushën e edukimit, që prej vitesh po lulëzon në Shqipëri". Kështu i drejtohet Presidentit Topi, Lidhja Shqiptare e Arsimit Jo Publik. Kërkesa justifikohet me faktin se produkti i këtij biznesi është social. "Është nxënësi, studenti". Për këtë, ata sjellin në vëmendje debatin e disa viteve më parë, kur u hoq TVSH-ja mbi shkollat private. "Nisma e heqjes së mëparshme të këtij detyrimi, ka qenë e argumentuar dhe e mbështetur nga intelektualë të shquar të vendit, njohës të modaliteteve fiskale, zhvillimeve evropiane e më tej", thuhet në letrën për Presidentin.