Frikë në Londër. Avioni përplaset në pistë
Një avion ndërkombëtar pasagjerësh është përplasur mbi tokë pak para zbritjes në pistë në aeroportin "Hithrou". Të 136 pasagjerët dhe 16 anëtarët e ekuipazhit u nxorën nëpërmjet daljeve të emergjencës, pasi avioni i "British Airways", i ardhur nga Pekini, pësoi një avari në pjesën e pasme të tij dhe në krahë. Gjashtë persona janë dërguar në spital me dëmtime të vogla. Pasagjerët në aeroportin "Hithrou" janë detyruar tani të përballen me vonesa dhe anulime fluturimesh, ndërkohë që "British Airways" ka anuluar të gjitha fluturimet e distancës së shkurtër nga ky aeroport. Incidenti ndodhi pikërisht në orën 12:42 minuta me orën lokale, ndërsa Kryeministri Gordon Braun po përgatitej të nisej drejt Kinës dhe Indisë. Fluturimi i tij u vonua disa orë për shkak të incidentit. "Downing Street" konfirmoi se ai ishte nisur rreth orës 14:30. Piloti në bordin e avionit me të cilin udhëtoi Kryeministri britanik, lajmëroi se një avion kishte mbetur i përfshirë në një incident të rëndë ndërsa po ulej në tokë. Zona jugore e aeroportit është mbyllur, ndërkohë që hetuesit bënin kontrolle në skenën e ngjarjes. Vetëm pjesa veriore e aeroportit mbetet e hapur. Policia tha se incidenti me "Boeingun 777" nuk kishte lidhje me ndonjë akt të mundshëm terrorist. Një zëdhënës në zyrat qendrore të policisë së Londrës, "Scotlan Yard", tha: "Nuk ka asnjë element që të na bëjë të mendojmë për një incident lidhur me terrorizmin". Gjithsesi, departamenti i transportit ka nisur një hetim. "British Airways" thotë se pilotët kishin bërë një punë të shkëlqyer dhe pasagjerët ishin evakuuar shumë shpejt. Informacione më të hollësishme do të bëhen të ditura vetëm më vonë. Burime spitalore thanë se tetë ambulanca ishin dërguar në vendngjarje dhe gjashtë pasagjerë ishin përcjellë në spitalin "Hillington", në afërsi të aeroportit, me dëmtime të vogla. Gjithsesi, nuk bëhet e ditur se çfarë dëmtimesh kanë pasur pasagjerët. Megjithatë, mes pasagjerëve paniku ka qenë i madh. Autoritetet aeroportuale kanë devijuar disa fluturime nga aeroporti "Hithrou" në "Stansted" dhe "Luton". Aeroporti i Mançesterit ndërkohë tha se fluturimet e tij drejt aeroportit "Hithrou" ishin anuluar. Ndërkohë, Xhon MekDonell, deputeti i zonës që mbulon edhe "Hithroun", tha për BBC-në se incidenti nënvizon edhe një herë shqetësimet për mungesën e hapësirave të aeroportit. "Mund të thuhet edhe se kjo që ndodhi ishte një mrekulli, pasi asnjë nga pasagjerët apo askush në tokë nuk është lënduar rëndë", tha ai. Në aeroportin "Hithrou" kalojnë 67.7 milionë pasagjerë në vit dhe pas incidentit të djeshëm, ai që konsiderohet si aeroporti më i frekuentuar në botë është përfshirë nga kaosi. Pamjet në televizion tregonin avionin e dëmtuar në fund të pistës me të gjitha daljet e emergjencës të hapura. Dy krahët e avionit gjigand ishin shkëputur pas përplasjes së dhunshme mbi tokë dhe copëzat e tyre ishin përhapur ngado.