(SH)KURORëZIMI I HISTORISë
Po e nisim me një fabul, në dukje pa lidhje me objektin e këtij shkrimi. Lexuesi e gjen vetë lidhjen, nëse ajo vërtet është. Ja fabula: Makina e një njësie vendore (komune apo bashkie) ishte me ngjyrë të kuqe deri në shkurtin e vitit të shkuar, kur në karrigen e ish-kryetarit u ul kryetari i ri. E para gjë që ndërroi i sapoardhuri në pushtet ishte makina, e cila u porosit që të kishte ngjyrën blu. Disa nga ata që e panë këtë "ndryshim" fërkuan duart, të tjerë nuk u ndjenë mirë, por shumica e njerëzisë së atij komuniteti qeshën fort... Dhe nuk ishte e para herë që e "përqeshnin" ashtu rotacionin e ngjyresave politike!?
Radha për t‘u prishur i erdhi mozaikut... Muzeu Historik do të jetë ai që tashmë do të (sh)kurorëzohet. Nuk mund të mbajmë më tej vepra të "realizmit socialist", ishte pak a shumë argumenti i drejtuesit të institucionit. Autorët, sipas tij, e patën realizuar mozaikun "Shqipëria", nën një trysni të fortë ideologjike etj. Por ky rast i freskët është vetëm një nga ndërhyrjet e "kirurgjisë" politike të tranzicionit mbi trashëgiminë muzeale monumentale të së kaluarës. Shqiptarëve iu duhet të vazhdojnë të shohin si bien dhe ngrihen monumentet në vendin e tyre, së sy të vetë atyre (pa i pyetur kush për çfarë ndodh) dhe në sy të botës së qytetëruar përreth. Porse gjithnjë me bekimin e pushtetarëve të vet, të vjetër e të rinj, ta majtë e të djathtë. Nuk ka asnjë iluzion, brezat pasardhës kurrë nuk do ta marrin vesh se si ka qenë vendi i tyre, nëpër histori, cilat kanë qenë gjurmët e paraardhësve. Njëlloj si ai biri plangprishës, që i vë kazmën kullës së atit dhe gjyshit, për të ndërtuar një banesë të re sipas shijes së tij, sado që të renë mund ta bënte, por mbi themelet e së mëparshmes. Ka kohë që qahemi që nuk e kemi më të plotë atë qendrën e Tiranës së paraluftës, ku më së paku ka rënë godina monument e ish-bashkisë etj. Nëse duam të vemi pak më tej gjeografikisht, në kërkim të monumenteve të kohës së mbretërisë shqiptare, kemi për fat në këmbë Urën e Zogut mbi lumin Mat dhe mbase me kaq mbyllet ai kapitull. Sigurisht, padrejtësisht dhe pameritueshëm. Do të ishte padyshim me interes, nëse vizitorin e sotëm evropian do të mund ta shëtisnim nëpër ish-dekorin mbretëror shqiptar të një kohe të kaluar, pra po të ishin ruajtur ato rezidenca e mjedise të Oborrit, që asokohe ishin sallonet mondane dhe aristokratike të kohës. Por nuk e kemi më këtë mundësi. Regjimi i ri që erdhi pas luftës i lau duart njëherë e mirë me monumentet e së shkuarës së afërme, duke krijuar fytyrën e re të vetën, por jo dhe të Shqipërisë së vërtetë. Ranë monumentet shpirtërore, kulturore dhe shtetërore njëherësh. Historia moderne nisi si//// nisi nga e para. Gjithmonë u gjend dikush në këtë vend, më shumë me kazmë në dorë, se me daltë... Dhe rezultati shihet përditë, teksa në kryeqytet dhe gjithkund tjetër kanë rënë e janë ngritur monumente në këto 18 vjet, është shembur (me protesta) memoriali i Enver Hoxhës në sheshin "Skënderbej" dhe është ngjitur (pa protesta) mbi piedestal një Sulejman Pasha. Tani i ka ardhur radha të prishet mozaikut "Shqipëria", në ballinën e Muzeut Historik, 120 metra i gjatë, i vetmi i këtij lloji në vendin tonë. Pa i hyrë asaj se ç‘janë e ç‘përfaqësojnë në vetvete mozaikët e moçëm, i Durrësit, Butrintit, apo i Ravenës, si dhe mozaikët më të rinj, si janë parë ata në kohëra dhe si shihen sot, një gjë nuk mund të mos bëjë përshtypje në këtë sipërmarrjen e fundit - ata që duan ta heqin mozaikun dhe mbase ta rimodelojnë, janë zyrtarët, nëpunësit e shtetit, pavarësisht titujve dhe gradave që mund të mbajnë në punët e historisë. Ashtu siç ishte një zyrtare e lartë, që dhuroi në Vlorë aktin (origjinal!) të pavarësisë pas 95 vjetësh, ishin po ente shtetërore ato që propozuan dekorimet e firmëtarëve të pavarësisë, pavarësisht kontestimit të dy prej atyre figurave. Ndërkohë që kemi kaq e kaq vite që nuk biem dakord për ditën e çlirimit të vendit, por vemi te varrezat e dëshmorëve, një palë më 28 dhe një palë më 29 nëntor. Secili krah politik tërheq nga të "vetët" pa bërë lëshime. Kohët e fundit, këshilltarët demokratë të një bashkie kërkuan miratimin e një fondi, për të shndërruar në objekt muzeal një nga ish-kampet e regjimit komunist, kurse këshilltarët e majtë që ishin shumicë në këshillë, miratuan një fond për meremetimin e varrezave të dëshmorëve (!). Si dëshmorët, ashtu edhe ish të persekutuarit politikë, martirët e demokracisë, të mos ishin vlera të së njëjtës histori komplekse, asaj të shqiptarëve.
Për sa i përket mozaikut, si shumë të tjerë, kam pritur që të mblidhej ndonjë komision ekspertësh, prej historianësh, piktorësh, arkitektësh, specialistësh të monumenteve, që ta shkoqisnin dhe ndanin këtë gjë denjësisht e profesionalisht. E jo vetëm për këtë objekt kulturologjik, por të kryenin një studim të plotë të gjendjes së trashëgimisë së kësaj fushe, ku të dilnin me një projekt bashkëkohor, me propozime konkrete, se ç‘monumente, emblema, emra duhen hequr e ç‘duhen vënë të rinj në sheshe, rrugë, shkolla etj. Përndryshe, beteja me monumentet nuk do të ketë përfunduar asnjëherë. Rrënimi ka nisur qysh herët në fillimin e viteve ‘90, atëherë kur mendohej se po ndaheshim me komunizmin me shembje simbolesh, që ishin dhe s‘ishin shprehje e tij. Për studiuesit e artit: "Hedhja në erë apo grabitja e monumentit "Mirditoret" në Rrëshen, është akt kriminal me ngjyresa politike. Rënia e kësaj vepre tregoi se shoqëria jonë ishte e papërgatitur për të pranuar demokracinë edhe në art". (Suzana Varvarica Kuka, "Shekulli" 16 janar 2008). Por ç‘ka ndodhur ndërkohë pas rënies së atij monumenti? Në qendër të qytetit është ngritur një i ashtuquajtur "Memorial i 12 Bajrakëve", ku të parët që nuk do ta pranonin do të ishin vetë bajraktarët, nëse do të ishin gjallë. Një shembull tipik se si mund të keqpërdoret historia dhe bota e monumenteve, me sajesa të nxituara individësh, që e kanë (ç‘)mësuar historinë kafeneve dhe zyrave të partive. Kushdo që ka shkelur në qytetin verior nuk ka mundur t‘i vërë një emër këtij kinse memoriali, por ka kthyer kokën anash për të mos i vrarë sytë. Nuk është dhe aq fjala, në të tilla raste, për autorët realizues, të cilët kanë përvojat e tyre artistike, por në radhë të parë për propozuesit zyrtarë të veprave monumentale: "E duam kështu këtë monumentin" etj. Sado që artistët nuk ka pse për shkak të projekteve që kanë pará, të pranojnë kompromise të tilla në dëm të artit dhe të memories së gdhendur të një qyteti. Kur ballafaqohesh me shartesa të tilla, nuk ka si të mos mendosh se disa kryetarë lokalë, ministra, deputetë, siç thotë populli, vazhdojnë të "fusin hundët" në punët e artit, historisë dhe kulturës, njëlloj si dje funksionarët partiakë të kohës së diktaturës.
Nuk ka dyshim se Mozaiku i Tiranës (kështu na vjen ta quajmë) është një nga flijimet në emër të rishkrimit të historisë, por dhe si një përpjekje për ta dominuar sheshin qendror të kryeqytetit, qoftë dhe me vënien dorë mbi relike të tilla, pavarësisht rrymave artistike mbi të cilat qenë krijuar. Pa dashur të bëjmë ndonjë "profeci", ku i duhet nëse ai mozaiku rishtar që do të vihet në vendin e mozaikut ekzistues, nuk do të jetë jo më me ato ngjyrat e përflakta revolucionare si paraardhësi, por me diçka si prej bluje, ngjyrë që mund t‘i shkojë politikës, por jo domosdoshmërish dhe monumentologjisë…
Vazhdimi i fabulës me atë makinën rozë e blu… Nuk ndryshoi vetëm ajo, por dhe plot mure zyrash e godinash ndërruan ngjyrë, nga kolori i roztë- në të blutë, mbase që nga mjediset e selive qeveritare. Siç ndërruan dhe ngjyrat e studiove e deri te titrat në ndonjë televizion. A nuk kishin qenë kështu, të dallueshme këtu e tej (rozë e fortë dhe blu e theksuar) zyrat elektorale? Tjetër, se ngjyrat e fushatës si rregull duhej të ishin shuar me mbarimin e saj, pasi shteti nuk ka ngjyrë… Lexuesi le të na thotë tashmë, nëse ka apo jo një lidhje mes kësaj bojatisjes së mureve, njëherë në katër vjet dhe kësaj "bojatisjes" së historisë në vazhdimësi, për shkak të zgjyrës ideologjike që ende kemi në tru!...