Meta: Të rishkruhet strategjia kombëtare e zhvillimit
"Strategjia për zhvillim dhe integrim nuk i jep zgjidhje prioritetit kryesor që ka Shqipëria aktualisht, krizës energjetike". Ky ishte konstatimi i djeshëm i kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një tryezë për alternativat e zhvillimit, me të ftuar specialistë dhe ekspertë të fushës ekonomike në vend. Meta e cilësoi SKZHI-në "një dokument që është i një rëndësie kombëtare dhe si dokument që sinkronizon të dy këta komponentë binjakë për modernizimin e vendit, sikurse është zhvillimi dhe integrimi". Këta dy komponentë, sqaroi ai, janë në funksion të njëri-tjetrit dhe duhet të shkojnë në harmoni me njëri-tjetrin, përndryshe sjellin konfuzion, sjellin paqartësi dhe jo hapa përpara. Sipas Metës, vonesat në përgatitjen e këtij dokumenti nuk kanë ndihmuar në rritjen e cilësisë së tij dhe vëmë re se kemi një lidhje artificiale të këtyre dy komponentëve dhe nuk kemi një lidhje organike e të qenësishme midis këtyre dy elementëve. Meta tha se ky dokument i prodhuar i ngjan më shumë një kolazhi, që në vetvete ka shumë strategji, të cilat janë prodhuar deri më sot për sektorë të ndryshëm, por nuk e ka qartësinë e duhur për prioritetet për zhvillimin e integrimin e vendit dhe nuk ka objektiva konkretë për këtë proces. "Pavarësisht se kjo strategji angazhohet për një periudhë afatgjatë 6-vjeçare, shohim që instrumenti financiar për zbatimin, për garantimin e kësaj strategjie është afatshkurtër, 3-vjeçar", konstatoi kreu i LSI-së. Duke shtuar se nuk mund të ketë asnjë strategji serioze dhe të besueshme, në rast se edhe ajo nuk e ka instrumentin e financimit të sigurt, të garantuar dhe në koherencë me vetë këtë strategji. Meta theksoi gjithashtu se kur një dokument ka shumë prioritete, në fakt nuk ka asnjë prioritet. Ai nënvizoi se është utopi dhe është mungesë realizmi të flasim për programet sociale, të flasim për rritjen e punësimit, të flasim për zhvillimin e bujqësisë, të flasim për zhvillimin e teknologjisë, të flasim për hapjen e internetit në gjithë Shqipërinë, pa zgjidhur çështjen e krizës energjetike.