Alarm racizmi në kampionatin francez, Desaji caktohet "mbikëqyrës" i Ligës
Java e turpit. Kështu është cilësuar java e fundit në futbollin francez për shkak të sulmeve raciste të ndodhura në stadiume të ndryshme nga data 16 shkurt deri më 23 shkurt. Situata në Francë ka degjeneruar në probleme të dukshme, aq sa ministri i Sportit ka kërcënuar klubet me gjoba të rënda nëse nuk arrijnë të kontrollojnë tifozeritë, ndërsa ka caktuar ish-mbrojtësin Marsel Desaji për të propozuar ndryshime në rregullore dhe masa më të ashpra ndaj shkelësve.
Episodi i parë ndodhi të shtunën, më 16 shkurt. Kapiteni i Valensien, mbrojtësi maroken Uadu, gjatë pushimit të ndeshjes kundër Metz u ngjit në tribunë për t‘u përballur me një tifoz i cili e kishte fyer gjatë të gjithë pjesë së parë të takimit. Një shfaqje që nuk i ka pëlqyer gjyqtarit, i cili më pas e ndëshkoi me karton të verdhë futbollistin, ndërsa kjo çështje ka përfunduar në gjyq. Të premten, më datë 22 shkurt, ngjarjet zhvendosen në Ligën 2, por fatkeqësisht janë të njëjta. Në Bastia, ultrasit vendas presin me një parullë raciste skuadrën e Liburn, sidomos Kebe, lojtarin nga Burkina Faso, i cili në ndeshjen e fazës së parë u ishte përgjigjur me një gjest të gjitha thirrjeve raciste që i vinin nga tribunat. Të shtunën, më datë 23, dy tifozë të Metz filmohen nga kamerat ndërsa po bënin nderimin nazist. Ndërsa të dielën, një ndeshje mes diletantëve ndërpritet pas një zënke masive mes lojtarëve dhe ultrasve të skuadrës.
Ministri i Sportit në Francë, Bernard Lakomb, nuk ka duruar më dhe ka paralajmëruar dje se tani ligji do të aplikohet me masa më të rrepta. "Por një gjë e tillë nuk mjafton, duhen një mobilizim i përgjithshëm. Të gjithë duhet të reagojnë, duke filluar nga tifozët e ndershëm, lojtarët dhe drejtuesit e klubeve. Nëse do të detyrohemi, do të gjobitim me masa të ashpra financiare klubet që shfaqin pak bashkëpunim. Për këtë arsye i kam dhënë si detyrë Marsel Desajis që të studiojë problemin dhe të më propozojë masa konkrete", tha ai. Por ideja e ministrit nuk është pritur mirë nga klubet, të cilat kanë bërë të ditur se nuk arrijnë të kontrollojnë gjithçka gjatë një ndeshjeje.