E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana e sheh veten mbrojtës: Ashtu do ta mbyll karrierën

Lorik Cana mendon se vitet e fundit të karrierës së tij do t‘i kalojë si qendërmbrojtës. Futbollisti shqiptar i Olimpikut të Marsejës ka treguar se është përshtatur mjaft mirë me këtë rol në ndeshjet e fundit që kjo skuadër ka zhvilluar. Dëmtimet e Zubar dhe fati e kanë detyruar trajnerin Gerets të kthejë kapitenin nga mesfusha në prapavijë, por për Canën ka qenë një mundësi më e mirë për të treguar vlerat e tij në një rol tjetër. "Qendra e mbrojtjes është pozicioni im i dytë. Jam përmirësuar në këtë rol me Kombëtaren shqiptare. Më është dhënë rasti të luaj aty edhe me Paris Sent Zhermenin, apo edhe në vitin e parë me Olimpikun e Marsejës. Kur është e nevojshme jam gjithmonë gati të përshtatem me detyrat e reja aq shumë, sa tani jam më i qetë në këtë rol", ka treguar Cana për mediat franceze. Mesfushori është kthyer në liderin e Olimpikut të Marsejës gjatë edicioneve të fundit, duke fituar zemrën e tifozerisë falë përplasjeve të shpeshta në fushë me lojtarët kundërshtarë. Por ai mendon se në fundin e karrierës së tij do të kthehet disa hapa prapa në rreshtim, duke u transformuar në një mbrojtës të mirëfilltë. "Për sa kohë që të jem i ri dhe ta përballoj fizikisht, dëshira ime është që të luaj në mesfushë. Por unë e di që do ta mbyll karrierën time në qendër të mbrojtjes. Më vjen keq, por nuk kam çfarë t‘i bëj, është një proces i pakthyeshëm, të cilin e kam të qartë edhe në mendjen time. Por nuk kam mbërritur ende në atë pikë. E di që mund të vazhdoj të jap ende shumë në rolin e mesfushorit me tipare mbrojtëse", u shpreh futbollisti. Fakti që Cana po tregohet i aftë në dy role të ndryshme, ka zgjuar interesimin e klubeve më në zë të Evropës. Sipas mediave angleze dhe franceze, futbollisti ndiqet me interesim nga Evertoni, Roma dhe Bajerni i Mynihut, të cilat kanë planifikuar t‘i bëjnë një ofertë të majme Olimpikut të Marsejës gjatë merkatos verore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›