E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngushëllimi i pretenduesve

Ka stadiume të vegjël që ngjajnë të mëdhenj sepse mbushen. Ka stadiume të mëdhenj, por duken të vegjël nga që janë bosh. Për fat të keq, "Loro Boriçi" sa vjen e duket sikur humbet shkallët. Dhe kjo është meritë e Vllaznisë, që ka humbur lojën argëtuese dhe tifozi shkodran thotë me ironi: "Boll halle kemi në shtëpi, të mos mbajmë edhe këto të futbollit". Pas ndeshjes me korçarët, po të numërohen tifozët e pranishëm, do të thuhej se ka qenë një ndeshje miqësore dhe jo kampionati. Por futbollistët tanë, jo vetëm ata shkodranë, janë mësuar edhe me stadiume të braktisura. Qarkullon një fjalë se për ta është mirë ngaqë mund t‘i shkojnë deri në fund çdo lloj kapriçioje. "Për Vllazninë mbeten përsëri problemet me ekipet e vogla", formulon trajneri Josa. Shkodrani mund të thotë me të drejtë: "Pse çfarë kena ba me të mëdhenjtë"? Por trajnerët mund të tregojnë edhe të pavërteta pas ndeshjes, megjithëse rezultatin nuk e ngatërrojnë. "Nuk i kënaqem vendit të tretë", shkon më tej Josa. Por atyre pak tifozëve që gjejnë rrugën për në "Loro Boriçi", u duket me fat udhëtimi i kuqebluve. Pse nuk u pëlqen vendi i tretë? Shkodranët luajnë bukur me fjalën edhe kur janë pa top: "Me këtë futboll dhe jemi në vendin e tretë. Por sikur të luanim pak më mirë". Trajneri Josa duhet të kishte vjedhur pak nga buzëqeshja e tyre. Nuk duhet të harrojmë se është edhe trajneri më i besuar i kampionatit. Kjo javë që kaloi mund të na gënjejë më shumë për rikthimin e buzëqeshjes në "Qemal Stafa". Dhe kjo është meritë e tifozëve të Partizanit, për të cilët mund të thuhej se ishin faktorë në triumfin ndaj Dinamos. "Në ditë speciale ata janë shumë të rëndësishëm", thotë trajneri Lika. Por "demat" që pagëzohen si ekipi që shpëtoi kampionatin nga dominimi i bluve, kanë frikë se jo çdo ndeshje do të luhet me karakterin e së shtunës. "Kishim shumë arsye për ta fituar derbin", pohon presidenti Xhani. Në planin teknik ishte një fitore që nuk peshohet vetëm me pikë. Në planin moral, një derbi i "pushtuar", sikur lë në harresë deklaratat e bujshme që trazojnë mjedisin e futbollit herë pas here. Por bosi i "demave" edhe pse premton se do të bëjë një lojë më të qetë në media, është i paparashikueshëm. "Partizani nuk ka nevojë për aleatë. Më pëlqen kur kundërshtarët i kemi vetëm në fushë". Një frazë që e kuptojnë më mirë ata të zyrave. Në fillim të kampionatit kemi dëgjuar shumë trajnerë që premtonin se ekipet e tyre do të luftonin për titull. Edhe pse e dinim që ishte ide e rremë, sikur na pëlqente të besonim. Po edhe kjo që po ndodh nuk është keq për t‘u ngushëlluar. Po të flasësh me gjuhën e lojës e jo të pikëve, ajo që frikëson më shumë është se Dinamo ka humbur fizionominë. Në tri ndeshjet e fundit u shndërruan hije në fushë, kanë guxuar të thonë se "kënaqen edhe me barazime" dhe për fat janë përsëri në krye.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›