Buzëqesh Inter, inatoset Roma
Interi ecën qetësisht drejt titullit kampion, pas një barazimi me Romën, por të shoqëruar si zakonisht nga polemika që kanë lidhje me gjykimin. Nga ana e tyre, zikaltërit e shohin golin e barazimit si një meritë të karakterit që tregoi skuadra, ndonëse shumë prej tyre kanë pranuar se takimi është interpretuar gabim. Në stolin e të akuzuarve përfundon trajneri Mançini, i cili është nxituar shumë me zëvendësimet, duke rrezikuar më pas inferioritetin numerik pas largimit të Maksuell të dëmtuar. Ndërsa verdhekuqtë janë të bindur se gjithçka është pjesë e "komplotit interist", pasi ndihmat e gjyqtarëve nuk po u lejojnë skuadrave të tjera t‘u afrohen më shumë në renditje zikaltërve.
Goli i Zanetit ka nxjerrë nga telashet trajnerin Mançini, i cili ka gabuar plotësisht me tre zëvendësime të kryera në 16 minutat e para të pjesës së dytë, për më tepër duke çekuilibruar edhe skemën e skuadrës. "Kambiason nuk desha ta largoja, por ai kishte një dëmtim të lehtë. Përse duhej të prisja më shumë për zëvendësimet kur ne ishim në disavantazh? Të tre zëvendësimet ishin të domosdoshme", u shpreh tekniku i Interit. Nëse trajneri i zikaltërve pranon se skuadra është gjendur në vështirësi dhe ka pësuar gol kur luhej 11 kundër 11, presidenti Morati as që e merr në konsideratë këtë hipotezë. "Skuadra nuk është në maksimumin e sajm por me këtë karakter mund të mposhtim edhe Liverpulin. Më vjen mirë që golin e shënoi pikërisht kapiteni. Edhe skuadrat e tjera nuk janë në maksimumin e forcave të tyre, çështje fizike apo e stresit që po kalojnë. Në këtë periudhë nuk jemi brilantë, por nëse arrijmë të mbizotërojmë falë karakterit, kthehet edhe shkëlqimi e mund të luajmë më të qetë", u shpreh ai, duke preferuar të mos komentojë gjykimin e ndeshjes.
Por analizën e "xhaketës së zezë" e kanë bërë verdhekuqtë e Romës, të cilët nuk e kanë kaluar lehtë kartonin e kuq të Mekses. Vetë mbrojtësi nuk ka pranuar të intervistohet nga gazetarët pas përfundimit të ndeshjes. "Intervistoni gjyqtarin", ishin fjalët e tij, ndërsa një koment edhe më thumbues ka bërë Françesko Toti. "Kjo ishte një ndihmë e madhe në favor të Interit. A ka mbaruar lufta për titull? Me këta kundërshtarë nuk ka filluar asnjëherë", u shpreh kapiteni i Romës. Edhe mesfushori Pizarro është i mendimit se ndeshja përfundoi në mënyrë të turpshme. "Përjashtimi i Mekses ishte i turpshëm. E kemi pësuar edhe një herë, e patë vetë se çfarë futbolli shfaqi Roma. Jemi lodhur nga episode të tilla, ka ardhur koha që ata të përfundojnë. Këtë radhë, 11 kundër 11, treguam se ishim në të njëjtin nivel dhe se kemi një ekip që mund të luftojë titullin, por disa vendime të dyshimta na e hoqën këtë mundësi", u shpreh ai. Akuza e fundit ka ardhur nga mbrojtësi Ferrari. "Faulli ndaj Krespos nuk ekzistonte. Sulmuesi kishte disa minuta që rrëzohej kot në tokë pas çdo prekjeje".