E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi, 50 për qind e fëmijëve romë janë analfabetë

Fëmijët romë përbëjnë kontingjentin më të madh të të miturve që kanë mbetur jashtë bankave të shkollës, duke u shndërruar në furnizuesin kryesor të armatës së analfabetëve. Skënder Veliaj, drejtor ekzekutiv i Unionit Rom pohon faktin se rreth 50 për qind e fëmijëve të këtij komuniteti nuk e frekuentojnë shkollën. Duke përmendur këto shifra alarmante Veliaj u referohet të dhënave të një studimi të kryer nga disa organizata joqeveritare si UNICEF dhe "Save the Children" në bashkëpunim me Unionin e Romëve të Shqipërisë "Amaro Drom". Në këtë studim, sqaron Veliaj, janë marrë në pyetje 4300 fëmijë rom. Pas anketimit të kryer ka rezultuar se më shumë se gjysma e tyre nuk e ndjekin shkollën dhe për më tepër kanë mbetur analfabetë ndonëse në mosha jo të vogla.

Sipas këtij studimi, shpjegon më tej drejtori ekzekutiv i Unionit përfaqësues të këtij komuniteti, rezulton se gjysma e pasardhësve të familjeve rome, janë të destinuar për të mbetur analfabetë, pasi ata nuk ndjekin së paku as arsimin e detyruar. Shkaqet për një situatë të tillë janë nga më të ndryshmet, por si ndër më kryesoret paraqiten pamundësitë ekonomike të familjeve rome. Një tjetër faktor i ndjeshëm në këtë drejtim konsiderohet edhe përjashtimi, si dhe indiferenca e shoqërisë shqiptare ndaj këtij komuniteti. Po kështu, në radhën e problemeve që ndikojnë në braktisjen e shkollës nga këta të mitur janë edhe shkaqet e mohimit të së drejtës më themelore, atë të edukimit për ta.

Skënder Veliu, drejtor ekzekutiv i Unionit të Romëve shprehet se

e drejta për edukim, është mundësia më e pakët që çdo qytetar duhet të ketë për të qenë i barabartë në shoqëri. Ai shton se nëse, shoqëria e sidomos politika, do të vijojë të mbetet indiferente ndaj braktisjes së shkollës për këtë komunitet, nesër do të kemi në rrugë një kontingjent njerëzish jo vetëm të paditur, por të paaftë për të qenë pjesë e dobishme e saj.

"Gur i themelit për komunitetin tonë është edukimi. Çdo gjë fillon nga shkolla dhe fëmijët e paarsimuar do të vazhdojnë të mbeten nëpër rrugë, pa pasur asnjë mundësi për të ardhmen", thekson Veliaj.

Ndërkohë që mjaft probleme ndeshen me romët, për sa i takon regjistrimit të këtyre fëmijëve në gjendjet civile. Duke marrë në konsideratë këtë fakt, mendohet se shifra e mosfrekuentimit të tyre në institucionet shkollore të jetë akoma më e madhe, sesa ajo që deklarohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›