E Diel, 1 Nëntor 2026

Botuesit, Topit: Rrezikohet pajisja e nxënësve me libra

Qindra mijëra nxënës rrezikojnë të mbeten pa libra vitin e ardhshëm shkollor. Alarmin e lëshojnë pikërisht ata që i botojnë librat e tyre. Shoqata e Botuesve i ka kërkuar Presidentit të Republikës që të mos ta dekretojë ligjin e datës 26.12.2007 "Për vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) 20% për librin në import. Sipas tyre, ky ligj kaloi me urgjencë në Kuvend dhe pa konsultën e grupeve të interesit vetëm për faktin se pas tij fshiheshin interesat meskine të shtypshkronjave. Kështu libri që shtypet jashtë vendit do të jetë më i shtrenjtë ndaj botuesit do të detyrohen ta çojnë në shtypshkronjat vendase. Kjo, sipas botuesve, jo vetëm ul cilësinë e botimit, por edhe vonon procesin e shtypjes për shkak të ngarkesës së madhe të punës. Në bazë të kontratës që kanë me Ministrinë e Arsimit, shtëpitë botuese duhet ta prodhojnë librin e shkollës gjatë muajve të verës. Por janë plot 6 milionë kopje për të gjitha tekstet.

Në letrën e tyre për Presidentin, që e bëjnë publike përmes "Shqip", botuesit shkruajnë "Zoti President, e keqja më e madhe e ligjit është se rrezikohet seriozisht pajisja e nxënësve me libra në fillim të vitit shkollor, kur brenda një muaji duhen shtypur 5-6 milionë tekste për nevojat e shkollave".

Alarmi hidhet vetëm pak ditë pas miratimit të ligjit, i cili parashikon Tatim mbi Vlerën e Shtuar në masën 20 për qind për librat e importit. Kjo taksë është kundërshtuar me forcë edhe në Kuvend nga deputetët e opozitës dhe jashtë tij nga grupet e interesit. TVSH-ja bie mbi të gjitha librat, si artistikë ashtu edhe shkollorë. Për këta të fundit, shqetësimi është paraqitur nga shoqata që drejtohet nga botuesi Latif Ajrullai.

Sipas botuesve, ky ligj është mbështetur vetëm në interesa të klaneve. Në letrën për Presidentin e Republikës Bamir Topi shkruhet se: "Ne kërkojmë nga ju që të mos e dekretoni këtë ligj, i cili nuk ka logjikë ekonomike dhe është i dëmshëm për kulturën dhe reformën në arsim; ligji favorizon interesa të ngushta të disa personave në pushtet të lidhur me shtypshkronja të caktuara dhe diskriminon grupe të tilla interesi si botuesit, autorët e teksteve shkollore dhe drejtpërdrejt mësuesit dhe nxënësit që i përdorin këto tekste".

Shoqata e Botuesve vlerëson nismën e Ministrisë së Arsimit për reformën e "Altertekstit", por shton se nëse vendoset TVSH-ja mbi librin kjo reformë merr fund dhe shtypshkrimi i librit të shkollës degradon. "Ne botuesit e teksteve shkollore jemi të detyruar të zbatojmë me përpikëri kontratat që kemi lidhur me MASH-in dhe që kanë të bëjnë me çmimin e përcaktuar të tekstit, cilësinë e letrës dhe afatin e shtypjes së librave. Në këtë kontratë, nuk është e parashikuar TVSH-ja mbi librin, gjë që tashmë, me ligjin e ri, nuk e mundëson botuesin të plotësojë kërkesat e kontratës". Kështu shprehen botuesit në letrën e tyre.

Që prej 3 vjetësh ka filluar reforma në arsim e quajtur "Altertekst", e cila ka liberalizuar tregun e librit. Kështu botuesit konkurrojnë mes tyre, dhe fiton më shumë se një shtëpi botuese, duke nxjerrë deri në tre tekste shkollore alternative. Pasi fitojnë projektin, ata realizojnë vetë gjithë procesin që nga hartimi, shtypja dhe shpërndarja e teksteve.

Por, mjaft shtëpi botuese nuk kanë shtypshkronja të tyre, çka bën të zgjedhin vetë shtypshkronjën ku do të prodhojnë tekstet. Në letër ata shprehen qartë se MASH-i, iu kërkon kosto të ulët dhe cilësi të lartë për tekstet. Në kërkim të ofertave ata i shtypin librat e shkollës edhe jashtë vendit. "Për vitin shkollor 2007-2008, një numër i madh i teksteve shkollore u shtypën jashtë vendit, në shtypshkronja me teknologji moderne. Kjo krijoi mundësi që, jo vetëm të përballohen kufizimet e ngushta të kostove të përcaktuara në reformën e teksteve shkollore, po edhe të arrihet një shtypje mjaft cilësore, madje në afate të shkurtra, në të cilat jemi të detyruar të punojnë", thuhet në promemorien për Presidentin e Republikës.

Vendosja e TVSH-së për librat vetëm në import, i vendos shtypshkronjat e vendit në pozita favorizuese përkundrejt shtypshkronjave jashtë vendit. Në këto kushte, edhe çmimet e shtypjes nuk ka gjasa të bien në nivelet e çmimeve në të cilat punojnë shumë shtypshkronja të rajonit, por përkundrazi të rriten. Sipas këtij ligji, botuesit detyrohen t‘u drejtohen vetëm shtypshkronjave të vendit, por paradoksi është se as kapaciteti, as cilësia dhe as afatet e shtypjes nuk do të mund ta bëjnë të realizueshme këtë.

Pjesë nga letra e botuesve

Zoti President!

Botuesit, në përgjithësi, po veçanërisht ne, botuesit e teksteve shkollore, e kundërshtojmë me forcë miratimin e këtij ligji, pasi jemi të bindur për pasojat negative që do të sjellë ky ligj në shtypjen e teksteve shkollore. Jemi në dijeni të tentativave të mëparshme të pasuksesshme për t‘ia arritur së njëjtës gjë dhe tashmë, kalimi me ngut i këtij ligji në Kuvend, pa u konsultuar me grupet e interesit, na bind se shtysat e miratimit të këtij ligji, janë për të mbrojtur interesa të caktuara që duan të ruajnë monopolet e vjetra mbi shtypjen e librit dhe aspak për të mirën e shkollës, madje shkojnë ndesh dhe me vetë interesin e zhvillimit dhe modernizimit të industrisë së shtypshkrimit në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›