E Diel, 1 Nëntor 2026

Urgjenca e spitalit, në gjendje të mjerueshme

Urgjenca e spitalit të Fierit vuan mungesën e theksuar të bazës materiale. Krahas kapacitetit të vogël që ka aktualisht ky ambient i parë pritës së pacientëve të shtuar në numër ditët e fundit, urgjenca përballet edhe me mungesën e të gjitha materialeve të hotelerisë. Ndërsa pacientët përdorin si jastëk xhupat dhe rrobat që kanë veshur, bluzat e bardha deklarojnë se kjo ndodh si shkak i frikës nga vjedhja e hotelerisë prej pacientëve ambulatorë. Urgjenca ndodhet në katin e parë të Spitalit Rajonal të Fierit. Në një sipërfaqe prej 30 metrash katrorë janë renditur disa shtretër, të cilët shfaqin dukshëm varfërinë nga ana e hotelerisë. Në një varfëri të plotë për nga baza materiale si dyshekë, çarçafë, batanije, jastëk etj., urgjenca e Fierit ka më shumë se 10 vjet që nuk merr furnizim. Sipas bluzave të bardha, mësohet se furnizimi i fundit me bazë hotelerie për këtë repart ka ardhur 10 vjet më parë, kurse më shumë vëmendje i është kushtuar anës higjieno-sanitare dhe asaj të medikamenteve.

"Nuk mund të cilësohet si urgjencë, pasi edhe i ftohti këtu ndihet më shumë. Kaldajat nuk punojnë dhe aq shumë zhurmë bëhet sa nuk duron dot, përveç dhimbjes së trupit për të cilën i drejtohesh spitalit", thotë Pëllumb Bare, një pacient. "I gjeta batanijet që i kishte lënë një tjetër pacient para meje dhe i vendosa mbi nënën time. I vendosa pa marrë parasysh nëse ishin të pastra apo jo, por vetëm ta mbuloja se kishte ethe. Meqenëse do të qëndroj për pak orë le të mundohet të durojë ato kushte në të cilat paraqitet urgjenca", të thotë Esma Sulaj, e afërmja e një paciente. Ndërsa nga 8 shtretër që ka në dispozicion, vetëm katër prej tyre janë në funksion me ato pak aksesorë, që dallohen nga shtretërit e tjerë të zhveshur vetëm në sustë dhe pa dyshek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›