E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtetasit e BE-së: Emigrantët të testohen

Gjithnjë e më i vështirë duket se po bëhet ëndrra për një jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian për ata që detyrohen të emigrojnë përfshi këtu edhe një numër të konsiderueshëm shqiptarësh. Ksenofobia duket se është një fenomen që sa vjen e po rritet në vendet e Evropës Perëndimore pavarësisht politikave të zgjerimit me shtete të reja anëtare të këtij unioni.

Specialisti i Emigracionit në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi, duke ju referuar informacioneve të kanaleve zyrtare sqaron se të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e shtetasve të pesë shteteve më të mëdha të BE-së mendon se shtetasit nga vende jo anëtare, që dëshirojnë të emigrojnë, duhet t‘i nënshtrohen një provimi mbi shtetësinë dhe një tjetri mbi njohjen e gjuhës së shtetit pritës. Këto kushte vështirësojnë më tepër situatën sidomos për ata emigrantë që janë të pakualifikuar dhe nuk mund të gjejnë punë e të jetojnë normalisht në vendet e tyre edhe për shkak të gjendjes së tranzicionit.

Hatibi sqaron se duke ju referuar një sondazhi të ndërmarrë prej "Financial Times" të realizuar me "Harris Poll" rezulton se pjesa më e madhe e shtetasve të vendeve të Evropës Perëndimore janë skeptikë për prezencën e të huajve në vendet e tyre.

Sipas këtij sondazhi rezulton se janë 86 për qind e gjermanëve, 83 për qind e britanikëve, 61 për qind e francezëve dhe italianëve, si dhe gjysma e spanjollëve, pra 50 për qind e tyre, që mbështesin këto dy kërkesa. Përveç kësaj plot 99 për qind e italianëve, ndjekur nga 92 për qind e gjermanëve, 86 për qind e francezëve, 84 për qind e spanjollëve dhe 73 për qind e britanikëve mendojnë se emigrantët duhet t‘i nënshtrohen kurseve të edukimit qytetar.

Mes të intervistuarve, gjermanët dolën se favorizojnë më pak idenë lidhur me faktin që emigrantëve t‘u lejohet t‘u binden edhe ligjeve të ndryshme nga ato të vendit pritës, të diktuara nga doket e tyre kulturore dhe fetare. Në këtë qëndrim gjermanët janë ndjekur me vendosmëri edhe nga italianët. Sipas të njëjtit sondazh, në këtë vështrim, francezët u treguan më të ngurtët, për mundësinë se mund të lejohen anashkalime në legjislacionin kombëtar. Së fundi, është interesante përgjigja e kampionit të të intervistuarve, plot 6.226 të rritur ndaj pyetjes, nëse ndjehen më shumë shtetas të vendit të tyre, apo të një rajoni të caktuar, shtetas evropianë, apo tjetër. Në Gjermani, vetëm 22 për qind e të intervistuarve u shprehën se ndjehen shtetas gjermanë, ndërsa 36 për qind ndjehen shtetas evropianë dhe vetëm 24 për qind shtetas të një Landi të dhënë gjerman.

Në këtë klasifikim të dytët vijnë italianët, të cilët ndjehen 30 për qind si të tillë, 35 për qind e konsiderojnë veten evropianë dhe 20 për qind të tjerë shtetas nga rajoni në të cilin banojnë. Më të bindur në shtetësinë e tyre, në kuptimin tradicional janë francezët, që ndjehen evropianë vetëm në 15 për qind të rasteve dhe shtetas të një rajoni tjetër 13 për qind prej tyre.

Raporte të tilla në një Evropë të unifikuar dhe pa kufij nuk ka se si të mos prodhojnë probleme për mbërritjen e të huajve, që në një pjesë jo të vogël të rasteve konsiderohen si kërcënim për vendasit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›