Mbretëria e Bashkuar, në krizë ekonomike pa fuqinë e huaj punëtore
"Pa 1.5 milionë punëtorët e huaj, që nga viti 1997, ekonomia e MB-së do të kishte pësuar rritje më të vogël të GDP-së, inflacion dhe përqindje interesi më të larta". Është ky konstatimi që vjen nga Piter Spenser, Kryekëshilltari Ekonomik i "ITEM Club".
Mbretëria e Bashkuar, sipas analistëve të ekonomisë, do të përjetonte një gjendje kolapsi në rast se do të ndalonte në mënyrë të menjëhershme emigracionin apo nëse nuk do të kishte lejuar hyrjen e punëtorëve të huaj në territorin e saj.
Në një raport të bërë publik nga "Ernst & Young ITEM Club" i quajtur "Migrimi dhe ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar" përvijohet ndikimi ekonomik i emigrimit gjatë dhjetëvjeçarit të fundit në Mbretërinë e Bashkuar. Në studimin përkatës hidhet mendimi se ky vend mund të vuajë një rënie ekonomike, nëse do të ndërpriteshin flukset e fuqisë punëtore të huaj.
Përfitimet ekonomike
"Në vështrimin e perspektivës, nëse emigrimi do të vazhdonte me të njëjtin nivel si në dy vitet e fundit, ITEM parashikon që GDP-ja të ketë një rritje mbresëlënëse 3 për qind në dhjetëvjeçarin e ardhshëm", shprehet më tej Spenser në analizën e tij ekonomike.
"Nëse emigrimi do të mbetej në linjë me mesataren e dhjetëvjeçarit të fundit, rritja afatgjatë do të reduktohej në 2.4 për qind në vit. Ndërsa, nëse nuk do të kishte fare emigrim ajo do të zbriste në vetëm 2.2 për qind në vit", shtoi Spenseri.
ITEM bën me dije se, ndërsa degëzimet politike të rritjes së nivelit të emigrimit mbartën kontradikta, përfitimet ekonomike mbeten të qarta.
"Një e treta e emigrantëve në tre vitet e fundit erdhën nga shtetet e reja anëtare të BE-së dhe një pjesë e madhe e tyre ishin punëtorë të rinj në moshë, vijoi Spenser, duke shtuar më tej se, pavarësisht se numri i emigrantëve nga Evropa e Lindjes po njeh ulje, ka vetëm pak zona të Ishujve Britanikë që nuk e kanë ndjerë ndikimin pozitiv ekonomik të ardhjes së tyre".
Po kështu, ITEM këmbëngul që qeveria duhet të vazhdojë të "ruajë mendjen dhe dyert e hapura" për emigrantët ekonomikë. Ekonomia britanike ka nevojë që niveli aktual i emigrimit të vazhdojë të rritet, sepse fuqia punëtore në moshë pune vendase po rritet më ngadalë se sa popullsia pensioniste. Një opinion i tillë vjen në një kohë kur qeveria britanike ka menduar që të miratojë një paketë të re ndryshimesh ligjore që vështirëson së tepërmi ardhjen e emigrantëve të rregullt në këtë shtet. Kjo platformë e re mbështetet në sistemin australian përmes kolonave dhe pikëve. Por ndryshe nga sa mendohej punëtorët e pakualifikuar janë ata që do të goditen më shumë se sa të tjerët nga kjo reformë e fundit e qeverisë britanike.
Nevoja për emigrantë të kualifikuar
Bizneset e Mbretërisë së Bashkuar po përfitojnë nga rritja më e madhe e GDP-së, që formësoi emigrimi, shprehet kryetari i "Ernst & Young", Mark Oti. "Ne kemi nevojë për emigrantët për të baraspeshuar anën demografike dhe që ata të na sjellin një sërë profesionistësh të kualifikuar, si shkencëtarë dhe inxhinierë, theksoi më tej ai në qëndrimin e mbajtur lidhur me emigracionin dhe të mirat materiale që sjell ai për vendet e Evropës Perëndimore. Ai shtoi se duke parë konkurrencën tejet të mundshme, që do të shtjellohet për emigrantët më shumë të kualifikuar, kompanitë më përparimtare duhet të kenë tashmë të hartuara politika përfshirjeje nga më të ndryshmet. Njëherësh, sipas tij, biznesi duhet të bëjë diçka për të korrigjuar faktin që MB-ja ka një prej niveleve më të ulëta të punësimit të të rinjve mes vendeve madhore të OECD-së (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), sikurse duhet rikuperuar një brez i humbur, i cili rrëshqiti përmes rrjetës, vlerësoi ai në mënyrë figurative.
Studimet në Britani
Rregullat e reja, barriera më të forta për studentët e huaj
Sistemi i ri emigrator, i propozuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mund ta bëjë atë, vendin më pak tërheqës për studentët e huaj, duke i shkaktuar institucioneve arsimore humbje prej disa dhjetëra milionë paundesh. Ndërkohë që rregullat më të shtrënguara, administrativisht të ngarkuara mund ta cenojnë emrin e MB, si vendi në krye të arsimimit botëror.
Janë këto shqetësime që konstatohen nga profesor Rik Trainor, presidenti i Universiteteve të Mbretërisë së Bashkuar. E duket se në këtë seri ndryshimesh të acarta për të huajt, më të vështirë do ta kenë edhe ata të rinj shqiptarë, që synojnë të studiojnë në universitetet me emër të këtij vendi.
Sistemi i ri duket se do t‘u kërkojë universiteteve të përzgjedhin studentët herët, t‘i sponsorizojnë ata dhe t‘i regjistrojnë tek "Home Office" ose Ministria e Brendshme britanike. Në këtë drejtim, personalitete nga bota akademike universitare po ushtrojnë peshën e tyre kundërshtuese, duke shpresuar që këto rregulla të ndryshojnë, përpara se të hyjnë në fuqi, në mars të këtij viti, sikundër edhe është premtuar. "Ne vlerësojmë se ka një rrezik shumë real, që programet e ‘Home Office‘ do të minonin programin ndërkombëtar dhe atë tregtar të pjesës tjetër të qeverisë, e cila synon të rrisë numrin e studentëve ndërkombëtarë në MB", deklaroi Trainor.
Në sistemin e ri emigrator të Britanisë së Madhe, që konsiderohet si një reformë mjaft e fuqishme në këto 75 vitet e fundit, studentët e huaj zënë kolonën e katërt të paketës së ndryshimeve të propozuara. Në krye të këtij sistemi qëndrojnë persona tepër të kualifikuar në nivel shkencëtarësh, profesorësh apo inxhinierësh.