E Diel, 1 Nëntor 2026

"Vajza shtatzënë është mbytur me shall"

Vajza e gjetur e mbytur në afërsi të Radhimës është mbytur përpara se të hidhej në det. Ky ka qenë versioni që ka dhënë Policia e Vlorës, pas ekspertizës së bërë 21-vjeçares Enkelejda Ismailit, trupi i së cilës u gjet dy ditë më parë nga disa kalimtarë të rastit. Sipas prokurorit të Vlorës Pterit Çano, ekspertë të policisë kriminale si dhe të mjekësisë ligjore kanë vënë re se në trupin e vajzës dhe në qafë ka pasur shenja dhune. Përfaqësues të mjekësisë ligjore si dhe ekspertët në Vlorë kanë kryer ekspertizën e trupit të 21-vjeçares dhe kanë konstatuar se vajza ka qenë shtatzënë në muajin e tetë. Sipas burimeve nga Policia e Vlorës, mësohet se viktima është motër e Elton Ismailit, i dënuar me 14 vjet burg për rrëmbimin e nipit të biznesmenit vlonjat Sulo Shehut disa vite më parë. Ekspertët kanë konfirmuar se në trupin e vajzës është përdorur dhunë me mjete të forta dhe më pas është mbytur me shallin që ka pasur në qafë. Po kështu është konfirmuar se fëmija që ajo kishte në bark ishte i seksit mashkull dhe në bazë të verifikimeve fëmija ka qenë rreth 8 muajsh, me një peshë 3 kg. Mushkëritë e vajzës kanë qenë të mbushura me gjak dhe me ujë. Sipas ekspertëve vajza nuk ka pasur thyerje të gjymtyrëve. Nga këto të dhëna rezulton se 21-vjeçarja është dhunuar dhe mbytur përpara se të hidhej në det.

Policia ka marrë gjurmët e mundshme në trup të 21-vjeçares të personave që kanë ushtruar dhunë ndaj saj, disa prova të tjera. Për të mësuar diçka më shumë edhe rreth personit me të cilin ajo kishte dhe foshnjën, mjekët ligjorë kanë marrë pjesë nga trupi i fëmijës për të bërë analizat e ADN-së. Ditën e djeshme, rreth 40 persona janë shoqëruar në komisariat dhe janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, të cilët më pas janë lënë të lirë, për t‘u thirrur përsëri po të jetë e nevojshme ose po të ketë dyshime nga specialistët e policisë gjyqësore. Sipas të afërmve të 21-vjeçares, ajo është larguar nga shtëpia mesditën e datës 24 dhjetor. Ismaili, pasi është larguar nga shtëpia, është parë në një prej lokaleve në zonën e Skelës, e vetme, më pas mendohet të jetë takuar me personin që ajo priste në lokal, dhe me të është larguar në drejtim të Radhimës.

Në orën 14:00 të ditës së djeshme është kryer ceremonia mortore e vajzës së re nga familjarët e saj, të afërm, miq dhe të njohur të familjes Ismaili. Në ceremoninë mortore dhe shoqërimin për në banesën e fundit të saj, vihej re mungesa e vëllait, Elton Ismailit. Ky i fundit është dënuar nga drejtësia shqiptare me 14 vjet për rrëmbim personi, pikërisht rrëmbimin e Klajdi Shehut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›