E Diel, 1 Nëntor 2026

Çifti nga Kuçova, Erjon dhe Eneida Goxha, u aksidentuan për vdekje në Greqi

Vendosin të kthehen pranë familjeve të tyre në qytetin e Kuçovës për të festuar festat e fundvitit dhe për të vendosur datën e martesës, por gjejnë vdekjen si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor. Ngjara ka ndodhur katër ditë më parë në shtetin grek, ndërkohë që trupat e pajetë të të rinjve kanë mbërritur dje pranë familjeve të tyre në qytetin e Kuçovës. Gjithçka ka ndodhur mëngjesin e katër ditëve më parë në Trikalla të Greqisë, ku Erjon Goxha dhe e fejuara e tij, Eneida Goxha, kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor. Burime pranë familjeve të tyre në Kuçovë, bëjnë me dije se të rinjtë ishin nisur katër ditë më parë nga Trikalla për në Shqipëri. Ata mësohet se udhëtonin me një makinë tip "Audi" me targa greke, ndërkohë që mjeti është përplasur në rrugë, në dalje të qytetit helen. Ata janë përplasur me një tjetër mjet tip "Audi" që drejtohej nga një shtetas grek. Si pasojë e kësaj përplasjeje të rëndë mësohet se Erjon Goxha, 27 vjeç dhe e fejuara e tij Eneida Goxha janë aksidentuar rëndë dhe kanë ndërruar jetë pa mundur të marrin ndihmën mjekësore. Pranë familjeve të tyre në Kuçovë mësohet se pasditen e aksidentit ka mbërritur edhe lajmi i hidhur.

Drejt Trikallës së Greqisë janë nisur më pas të afërm të familjes së djalit dhe vajzës, të cilët kanë nisur menjëherë procedurat për sjelljen e trupave të pajetë të të rinjve. Familjarët nuk kanë mundur të mësojnë më shumë rreth shkaqeve të këtij aksidenti tragjik. Ata kanë mësuar vetëm se gjithçka kishte ndodhur si pasojë e një pakujdesie gjatë drejtimit të mjetit nga ana e 27-vjeçarit nga Shqipëria. Sipas të dhënave të policisë greke motivet e plota të aksidentit të rëndë do të bëheshin të ditura pas përfundimit të hetimeve, ndërkohë që familjarët nuk kanë pasur kohë të mësojnë më shumë rreth ngjarjes. Pas procedurave zyrtare, familjarët e Erjonit dhe Eneidës kanë mundur që pasditen e djeshme të sjellin pranë familjes trupat e pajetë e tyre. Më pas, ata janë përcjellë për në banesën e fundit nga shtëpia e familjes Goxha, në lagjen "1 Maji" të qytetit të Kuçovës, ku 25 vjeçarja ëndërronte të bëhej nuse. Në funeralin e përbashkët kanë marrë pjesë familjarë, të afërm të tjerë, por edhe shumë banorë të qytetit të Kuçovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›