E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga pronarit të motelit për favorizim prostitucioni

Një pronar moteli është vënë në pranga për favorizim prostitucioni, ndërsa dy femra janë kapur në flagrancë për ushtrimin e marrëdhënieve seksuale me pagesë në ambientet që viheshin në dispozicion nga vetë pronari. Ka qenë një operacion i policisë kriminale të Korçës dhe uniformave blu të këtij qyteti që është zhvilluar mbrëmjen e një dite më parë në një motel që ka vënë në pranga të tre personat. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Ravonik të Korçës, ku mësohet se moteli përdorej për këtë qëllim. Njëra nga vajzat do të ndiqet në gjendje të lirë, pasi 28-vjeçarja me inicialet A.K, nga vizitat gjinekologjike rezulton se është shtatzënë dhe gati për të sjellë në jetë një fëmijë. Sipas policisë, operacioni ka marrë shkas nga të dhënat se në motelin e fshatit ushtrohej prostitucion në mënyrë të vazhdueshme. Kjo nuk ishte hera e parë që dy femrat që janë kapur në flagrancë përdornin trupin kundrejt pagesës dhe për këtë ndihmoheshin nga pronari i motelit, që ju vinte në dispozicion ambientet dhe me të cilin më pas ndanin edhe fitimet. Policia thotë se në orën 21:00 ka arrestuar në flagrancë pronarin e motelit, Ardit Bezhanin, 43-vjeç, nga fshati Ravonik. Gjatë operacionit të befasishëm dhe kontrollit në dhomat e motelit, policia jo vetëm ka vënë në pranga njërën nga vajzat, 35-vjeçaren me iniciale S.P. Ka qenë një person që ka konfirmuar se kishte kryer marrëdhënie seksuale me pagesë me të dyja vajzat, kur është gjetur në ambientet e motelit. Sipas policisë moteli në fjalë po mbahej nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e policisë, pasi kishte të dhëna se në mënyrë sistematike, vajzat që vinin nga qyteti përdoreshin për prostitucion. Por pas kapjes ato kanë deklaruar se 43-vjeçari nuk ka qenë tutori i tyre. Sipas policisë, klientët nga deklarimet që kanë dhënë deri më tani, dy femrat nuk i siguronte pronari i motelit. Nga të dhënat e policisë mësohet se nga puna e natës së dy vajzave ai merrte një përqindje, krahas faktit se ato i siguronin kështu edhe klientelën për motelin dhe lokalin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›