E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleatët: Berisha të ulet me të gjithë në tryezë

Dy nga aleatët më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, demokristianët dhe republikanët, i bëjnë thirrje partisë më të madhe në vend që të ulë në një tavolinë të gjithë spektrin e djathtë. Çështja e reformave, por edhe marrëdhëniet mes tyre dhe Partisë Demokratike, kërkohen nga ata që të jenë në qendër të vëmendjes së kësaj tryeze. Megjithëse nuk janë kundër takimeve kokë më kokë me Kryeministrin Berisha, ata kanë theksuar se formati i tryezës do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve që u përkasin jo vetëm reformave, por edhe detajeve të tjera në aspektin politik. Kryeministri Berisha ka programuar të takojë të gjithë kryetarët e partive në një takim kokë më kokë, ndërkohë që aleatët më të mëdhenj brenda mazhorancës kanë kërkuar që do të ishte më efektive tavolina e përbashkët. Ministri i Shëndetësisë dhe kryetari i demokristianëve, Nard Ndoka, kërkon funksionimin e tryezës së koalicionit qeveritar më shumë sesa takimin veç e veç të kryetarëve të partive me shefin e mazhorancës. Në lidhje me përjashtimin e forcave aleate nga reforma zgjedhore, demokristianët kanë preferuar ta kalojnë këtë çështje në heshtje për momentin, duke pritur se cilat do të jenë përfundimet e tryezës midis PD dhe aleatëve të saj. Në po të njëjtën linjë është edhe kreu i grupit parlamentar të PR-së, Arjan Madhi, i cili kërkon nga kreu i Ekzekutivit të mbledhë tryezën e së djathtës për të diskutuar aspektet politike të funksionimit të spektrit mazhoritar. Përpara Samitit të Bukureshtit, por edhe para ndryshimeve në qeveri, aleatët kërkojnë tryezë me numrin një të qeverisë, por edhe me kryetarët e partive të tjera. E gjithë vëmendja kohët e fundit është përqendruar te pakënaqësitë që janë vërejtur në koalicionin qeveritar. Demokratët ankohen se pushteti është përqendruar më shumë në duart e aleatëve, ndërsa aleatët nga ana tjetër shtojnë pretendimet për më shumë përfaqësim në politikë. PD kërkon të shuajë oreksin e madh të aleatëve të vegjël, duke tentuar shmangien e tryezës së koalicionit dhe duke projektuar takime kokë më kokë midis Kryeministrit Berisha dhe kryetarëve të partive të vogla. Duke iu referuar kampit blu, shumë shpejt aleatët e djathtë do të njihen me draftin dhe propozimet lidhur me reformën në drejtësi. Deputetët e PD-së kanë ndarë të njëjtin qëndrim si ai i Kryeministrit Berisha në lidhje me paketën e propozuar nga opozita mbi reformën në drejtësi. Sugjerimet e PD mbi këtë reformë, pasi të diskutohen brenda koalicionit të djathtë, priten të shpërndahen së shpejti në selinë rozë, megjithatë ndryshimet priten të jenë të pakta dhe ngjashmëritë të shumta mbi këtë paketë. Deputetë të PD-së konfirmojnë se bashkëpunimi dhe konsensusi do të jetë fryma që do të karakterizojë këtë reformë. Përplasja e madhe midis politikës duket se do të jetë pikërisht ndryshimi i kodit elektoral, i cili do ta ketë shumë të vështirë të përfundojë përpara muajit prill.

Reformat

Berisha, "kokë më kokë" me aleatët

Partia Demokratike pritet të përfshijë në lojën e reformave edhe partitë e vogla. Bashkëpunimi PD-PS për reformën në drejtësi duket se ka lënë jashtë loje partitë e vogla aleate të spektrit të djathtë. Për këtë arsye, partia më e madhe në vend rikthen vëmendjen tek aleatët e saj. Kërkesës së tyre për mbledhjen e tryezës, PD i përgjigjet me një takim kokë më kokë mes liderëve të partive. Sipas burimeve brenda kampit blu, nuk do të ketë tryezë të përbashkët, por Berisha do të takojë në mënyrë individuale të gjithë kryetarët e partive të vogla të djathta.

Në qendër të vëmendjes do të jenë bisedimet në lidhje me reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Në këtë mënyrë duket qartë se partia më e madhe po përpiqet të evitojë tryezën e mazhorancës për të shmangur debatet për çështjet e tjera që kalojnë përtej reformave të kërkuara nga ndërkombëtarët për t‘u bërë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›