Milo: Mblidhni komisionin, të zhbllokohet puna
Partia Demokracia Sociale ju drejtua dje përmes një letre të gjitha subjekteve politike parlamentare. Paskal Milo vlerëson se mënyra se si miratohet një sistem elektoral ka shumë rëndësi për legjitimitetin e tij dhe për sigurimin e një sistemi sa më të gjithëpranuar jo vetëm për partitë politike, por edhe për publikun. Sipas tij, është e rëndësishme që të gjitha grupet që dëshirojnë të luajnë një rol në procesin demokratik duhet ta ndjejnë që sistemi elektoral që do të përdoret është i drejtë dhe u ofron mundësi të barabarta dhe jodiskriminuese konkurrimi. Nisur nga fakti që Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk është mbledhur edhe pas shtyrjes së tretë të afatit të veprimtarisë së tij, Milo kërkon mbledhjen e tij me qëllim zhbllokimin e situatës dhe sjelljen e debatit për reformën zgjedhore në institucionin e Parlamentit. Kërkesa bazohet në nenin 6 të rregullores së funksionimit, si dhe në vullnetin e shprehur të disa prej partive parlamentare pjesëmarrëse në komision. Ditët e fundit janë shtuar presionet nga partitë e vogla për rifillimin e punës në Komisionin e Reformës.