E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Transferimi i gjyqtarëve, kompetencë e KLD

Komisioni i Ligjeve ka vazhduar edhe dje punën për shqyrtimin e projektligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor. Tashmë mbledhjet e këtij komisioni nuk zgjasin me orë të tëra, pasi puna më e madhe e tij ka përfunduar dhe kjo falë bashkëpunimit mes pozitës dhe opozitës. Sipas anëtarëve të komisionit, për pjesën më të madhe të çështjeve është rënë dakord tashmë me unanimitet, por ka mbetur pa shqyrtuar ende neni për inspektimin në gjykata. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili ka qenë prezent në të gjitha mbledhjet e Komisionit të Ligjeve, është shprehur dje se çështja e inspektimit në gjykata nuk është çështje zgjedhjesh, por atë e përcakton Kushtetuta e vendit. "Unë mund t‘ju them vetëm se kjo i përket Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kushtetuta ka parashikuar që KLD është organi i vetëm i pavarur që vendos mbi transferimin dhe promovimin e gjyqtarëve. Në fund të veprimtarisë së komisionit do të njiheni me mënyrën dhe strukturën e procedimit disiplinor", ka deklaruar ministri i Drejtësisë. Më tej, Alibeaj ka theksuar se Komisioni i Ligjeve po vazhdon të diskutojë në mënyrë konstruktive mbi projektligjin dhe deri më tani ka arritur të gjejë frymën e bashkëpunimit në këtë proces. Projektligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor deri më tani ka arritur standardet më të mira, të cilat nuk janë parë ndonjëherë në ligjet shqiptare për sa i takon sistemit gjyqësor. "Këto standarde shprehin aspiratat më të mira, dhe janë të njëjta me ato të kërkuara nga Perëndimi", ka theksuar ai. Shpresohet dhe mendohet, tha Alibeaj më tej para mediave, që duke bërë këto ndryshime të domosdoshme në gjyqësor, të arrihet një sistem më profesional se ai aktual, pasi janë vendosur kritere të qarta, të sakta, të matshme, të përcaktuara dhe të njohura për gjyqtarët. Ministri i Drejtësisë ka theksuar në fund të fjalës së tij se "ky është sistemi i karrierës, i cili ka si qëllim të promovojë gjyqtarët në bazë të punës së secilit prej tyre". Komisioni po shqyrton prej gati dy muajsh të 45 nenet e projektligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Në fillim, anëtarët e komisionit, në bashkëpunim me grupin e ekspertëve dhe grupin relator, kanë diskutuar të gjitha nenet një për një, duke paraqitur edhe sugjerimet dhe ndryshmet që kërkon çdo forcë politike. Grupi i ekspertëve i ka marrë parasysh këto sugjerime dhe më pas i ka implementuar në projektligj. Nga anëtarët e komisionit është bërë e ditur edhe një ditë më parë se në këtë projektligj ka pasur nene që janë ndryshuar tërësisht, nene që kanë pësuar ndryshime të pjesshme. Por, gjithashtu, ka pasur nene të cilat nuk janë prekur fare. Gjithashtu janë marrë parasysh të gjitha propozimet që ka bërë opozita gjatë diskutimit të projektligjit. Ndryshe nga herët e tjera, pozita dhe opozita kanë shprehur gatishmërinë e tyre për bashkëpunim në realizimin e reformës në drejtësi, pjesë e së cilës është edhe ky projektligj, me qëllim përmbushjen e kërkesave të vëna nga ndërkombëtarët për marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit, për anëtarësimin në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›