Leskaj: S‘ka pakt PS-PD për reformën zgjedhore
Valentina Leskaj garantoi dje aleatët se nuk është arritur asnjë marrëveshje mes PS e PD për reformën zgjedhore. Sipas saj, një pretendim i tillë është i pabazë dhe larg realitetit. "Nuk ka asnjë pakt të fshehtë ndërmjet Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste" tha ajo, duke shtuar se "i vetmi pakt është për reformën në drejtësi", dokument që në vlerësimin e Leskajt është njëkohësisht një ofertë e hapur dhe transparente ndaj të gjithë aktorëve të tjerë politikë. "Ky pakt për reformën në drejtësi, ashtu siç është bërë publike dhe më parë, mirëpret të gjitha kontributet e forcave politike", u shpreh Leskaj. Partia Socialiste siguron se është prezente në Komisionin e Reformës Zgjedhore. "Në të gjitha deklarimet kemi kërkuar përshpejtim të punës dhe kemi bërë publike edhe më parë se nuk kërkojmë një reformë të minutës së fundit në sistemin zgjedhor, pasi kjo do ta dëmtonte së tepërmi cilësinë e saj", argumentoi Leskaj. Ajo nënvizoi faktin se për Paktin Kombëtar të Drejtësisë Partia Socialiste ka konkluduar edhe me aleatët, të cilët e kanë përshëndetur këtë hap të selisë rozë.