E Diel, 1 Nëntor 2026

Alimuçaj: Prokurorja e re të hapë dosjen e "VEFA Holding"

Ish-bosi i kompanisë piramidale VEFA, Vehbi Alimuça, ka akuzuar segmente të politikës se kanë vjedhur asete të kompanisë së tij pas marrjes nën kontroll nga qeveria. Duke i kërkuar Kryeprokurores Ina Rama që të hapë dosjet për firmat piramidale, Vehbi Alimuça është shprehur nga qelia e spitalit të burgut në Tiranë se megjithëse kanë kaluar 12 vjet ende nuk është bërë transparenca e VEFA-s. "Politikanë të caktuar janë ngatërruar me problemet e kompanisë time. Kanë vjedhur pronat, paratë që kam pasur nëpër banka, mbi 130 milionë dollarë, mbi 260 ndërmarrje dhe objekte, mbi 1300 hektarë tokë turistike, 470 automjete. Parashikoj që jam në momentet e fundit të jetës sime dhe nuk më intereson asnjë gjë që të mbaj rezerva dhe të mos flas. Unë si Vehbi Alimuça dhe si ish-pronar i kompanisë VEFA i bëj thirrje që të rihapë dosjet e transparencës. Prokurorja e re që ka ardhur, kemi shumë respekt dhe simpati për të, me kaq sa kemi dëgjuar dhe kaq sa e njohim dhe meqë Kuvendi dhe shteti pati besim dhe e ngarkoi atë në detyrë aq të vështirë, kërkojmë që ajo të rihapë dosjet e firmave për kryerjen e transparencës". Alimuça që po kurohet nga diabeti dhe që i kanë mbetur edhe 3 vjet dënim deklaron se e ka dërguar në Strasburg çështjen e kompanisë që ai drejtonte. "Të mbyllet problemi i firmave. Cilat kanë qenë firma piramidale, cilat kanë qenë firma huamarrëse, cilat kanë qenë firma me investime, cilat kanë qenë pa investime etj. etj.... të mbyllet transparenca e firmave piramidale. Në qoftë se kjo nuk mbyllet, asnjëherë nuk ka për t‘u mbyllur. Të mos mendojnë që me një heshtje do të kalojnë këto punë. Sipas meje nuk është bërë transparenca akoma pas 12 vjetësh dhe të gjitha pasuritë, pronat dhe paratë janë avulluar. Ku kanë shkuar? Për çfarë arsyeje paguhen komisionerët e Këshillit Mbikëqyrës? Paguhen duke ngrënë akoma para nga ato që i quajnë para të kreditorëve dhe ata marrin pagat dhe janë bërë të gjithë me hotele e me vila, me pasuri e me firma në kurriz të kreditorëve. Kjo ka qenë transparenca? Për këtë arsye u bë?". Duke e konsideruar kohën e qëndrimit në qeli si të padrejtë, Alimuça e ka quajtur po ashtu të paligjshme edhe ndërhyrjen në kompaninë VEFA, e cila në dosjet e prokurorisë njihet si e krijuar në vitin 1993 dhe numëronte mbi 57 mijë kreditorë. "Kanë kaluar 12 vjet nuk është bërë transparenca akoma. Unë i lutem Komisionit të Transparencës dhe qeverisë shqiptare që të marrin masa që të përfundojë transparenca sa më shpejt, me qëllim që ne të mos mbarojmë burgun pa mbaruar transparenca. Se puna është që u dënuam nga 20 vjet, po mbarojmë burgun dhe transparenca nuk mbaron".

Marrë nga "Top Channel"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›