E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, policia dhunon gazetarët

Mesditën e së mërkurës, policia e Fierit zhvilloi një operacion në një dyqan bizhuterie me pronar Dhimitraq Çaçin, si dhe në banesën e tij e të vjehrrës së tij. Në të gjitha këto kontrolle policia gjeti vetëm një palë syze firmato, që pretendohet se janë futur në territorin e Shqipërisë pa doganë. Për këtë operacion të dështuar, kreu i forcave të gatshme në Komisariatin e Fierit, Nexhip Dauti, ua hedh fajin gazetarëve, që u ndodhën në vendin e ngjarjes. Zoti Dauti, kur ka parë objektivin e kamerës së TV "Vizion Plus", si dhe gazetaren e gazetës "Shqip" për Qarkun Fier, Matilda Troka, u është drejtuar atyre me fjalët: "Ua thyej aparatin në kokë. Mos fotografoni! Zhdukuni që këtej, apo do që të rras brenda në komisariat!" Madje, Nexhip Dauti, duke iu afruar grupit të gazetarëve, ka tërhequr prej xhakete gazetaren e "Shqip" duke e kërcënuar. Në këtë moment kanë ndërhyrë për të ndaluar veprimin e pahijshëm të Dautit, kolegët e tij, të cilët kanë marrë kërcënime, deri edhe për largim nga puna. Ky nuk është rasti i parë kur shefi i grupeve të gatshme konfrontohet me gazetarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›