E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllen masterat në fakultete

Askush nuk mund të ndjekë masterin këtë vit në universitetin shtetëror përveç aplikantëve të Ekonomikut në Tiranë, që sapo i nisën studimet. Sherri mes Ministrisë së Arsimit dhe universiteteve nuk ka zgjidhje, ndaj edhe studentët duhet të bëjnë një vit pushim dhe të largojnë dëshirën për studime të avancuara universitare. Konflikti që solli bllokimin e masterit të nivelit të parë dhe atë të nivelit të dytë nisi që në muajin nëntor 2007, kur fakultetet dërguan kuotat e pranimit në MASH, por kjo e fundit i ktheu mbrapsht. Me një urdhër të asaj kohe, ministri Pollo kërkonte që të gjitha universitetet publike të reformonin kurrikulën, duke u bazuar në ligjin e arsimit të lartë, i cili mbështet shkollimin në sistemin e Bolonjës.

Çfarë ndodh tani, pas më shumë se tre muajsh? Në Ministrinë e Arsimit nuk ka mbërritur asnjë program i ri studimi për masterin. Ndaj Dikasteri i Arsimit heziton t‘i quajë de jure të mbyllura masterat, por de facto ato nuk ekzistojnë dhe nuk do të ekzistojnë për këtë vit akademik. Të gjithë aplikantët duhet të presin tetorin e ardhshëm për të bërë një kërkesë tjetër për të ndjekur studimet e avancuara universitare në degën e preferuar. Natyrisht, duke shpresuar që deri atëherë institucionet e kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Lidhur me këtë çështje rektori i UT-së, Dhori Kule, që gjendej jashtë Shqipërisë, u shpreh dje për "Shqip" se "nuk kam asgjë për të thënë për këtë çështje përpos se ne po reformojmë programet". Ndërkohë i vetmi fakultet që i ka çelur masterat është ai i Ekonomikut, ku Kule ka qenë dekan deri para një muaji. "Ekonomiku i ka çelur masterat para pak ditësh, pasi ato janë të njësuara me universitetet evropiane me të cilët ne kemi bashkëpunime dhe s‘kishte arsye për t‘i reformuar", shtoi ai. Ndërkohë, Ministria e Arsimit, përmes drejtoreshës së Arsimit të Lartë, Elida Hoxha, deklaroi për "Shqip" se "në Drejtorinë e Arsimit të Lartë nuk ka mbërritur programi akademik i asnjë fakulteti për sistemin Master 1 (Master Nivel i Parë) dhe Master 2 (Master Nivel i Dytë)". Kjo do të thotë se universitetet kanë refuzuar të zbatojnë afatin e ministrit të Arsimit, Genc Pollo, për t‘i dorëzuar programet e masterit deri më 31 janar.

Argumentet që paraqesin shefat e departamenteve nëpër universitete është se "SHPU-ja, që sot quhet Master 2, është reformuar 5 vite më parë. Pra, fakultetet nuk kanë çfarë të ndryshojnë më në këto programe. Ndërsa për sa i përket Master 1 që aplikohet për herë të parë dhe që duhet ta ndjekin ata studentë që marrin diplomë "Bachelor" 3-vjeçare, fakultetet kanë marrë përsipër hartimin e kurrikulave të reja. Por ato duan kohë të konceptohen dhe programohen, pasi aplikohen për herë të parë. Kështu, për këtë vit akademik, asnjëri nga këto mastera nuk i propozohet MASH-it për miratim. Sistemi arsimor në Shqipëri duhet të ndryshojë, bazuar në ligjin e ri të arsimit të lartë, miratuar në maj 2007 dhe i amenduar dy herë në nëntor dhe dhjetor 2007. Kjo do të thotë që të gjithë studentët që janë tani në vit të parë mbarojnë shkollën e lartë për tre vjet dhe marrin një diplomë "Bachelor". Më pas, përmes një konkursi dhe notës mesatare si kriter aplikojnë për Master 1 që zgjat 2 vjet. Por ka edhe një kategori tjetër studentësh të cilët janë pjesa më e madhe, që kanë mbaruar shkollën e lartë me sistemin e vjetër 4-vjeçar dhe dëshirojnë të ndjekim Masterin ose siç njihet deri tani SHPU-në (Studime të Thelluara Universitare). SHPU-ja me ligjin e ri quhet Master 2. Edhe kjo kategori studentësh nuk mund të aplikojë këtë vit për të ndjekur masterin, pasi Ministria e Arsimit ka kërkuar të reformohen ose të riprogramohen SHPU-të. Por universitetet ngulin këmbë se ky lloj sistemi është reformuar në vitin 2003 dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje. Një argument tjetër i universiteteve është se nuk është e nevojshme reforma për një sistem të vjetruar që është drejt zhdukjes, duke qenë se vetë koha do të reformojë masterat, pasi brezat që do të mbarojnë do të ndjekin studimet 3+2+2, ashtu si në të gjitha universitetet perëndimore.

Por këto ide shoshiten vetëm në media, pasi specialistët e arsimit nuk mblidhen për të diskutuar dhe për t‘i dhënë publikisht një përgjigje qytetarëve se këtë vit nuk ka studime master dhe po punohet për vitin tjetër. Institucionet thjesht pasojnë fajin dhe natyrisht lënë të interesuarit në enigmë. Një enigmë që tani e ka marrë një përgjigje të ndërsjellët.

Kujtojmë se vitet e kaluara regjistrimet mbylleshin në muajin nëntor dhe tani jemi në shkurt, por s‘ka asnjë vendim zyrtar për regjistrime. Vetë dekanët e fakulteteve thonë jozyrtarisht se këtë vit akademik nuk do të dërgohen programe të reja në Ministrinë e Arsimit. Kjo e fundit thotë që nuk do të miratojë kuota pranimi me kurrikula të vjetra. Kështu përgjigjja e nënkuptuar është: S‘ka master këtë vit akademik në asnjë universitet shtetëror në Tiranë apo në rrethe qofshin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›