Bie nga biçikleta, vdes i moshuari
Një i moshuar nga qyteti i Kuçovës ka gjetur vdekjen dje, pasi ka rënë nga biçikleta, ndërsa udhëtonte për në tregun e lagjes. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme, kur Shaban Sefani ishte nisur me biçikletë për në tregun ushqimor të lagjes "Llukan Prifti", ku edhe banonte. I moshuari mësohet të jetë rrëzuar nga biçikleta pas një marrje mendsh, çka ka qenë fatale për jetën e tij. Burri ka pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe si rezultat ka ndërruar jetë pa mundur të shkojë në spital. Burime pranë spitalit të Beratit bënë me dije se 70-vjeçari ka mbërritur pa jetë në repartin e urgjencës.