E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në fast-food rrezikon shkollën

Zjarri ka rrezikuar dje djegien e një shkolle në kryeqytet. Flakët e para janë parë në një fast-food afër shkollës "Çajupi", që ka tmerruar nxënësit, të cilët sapo ishin duke filluar mësimin. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se flakët e zjarrit kanë përfshirë një fast-food që ndodhej në katin e parë të shkollës së mesme "Andon Zako Çajupi". Zjarri ra mëngjesin e djeshëm, kur sapo kishte filluar grumbullimi i nxënësve në klasa për të nisur mësimin. Menjëherë, dëshmitarët okularë kanë njoftuar shërbimet e zjarrfikësve, të cilët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Dy makina zjarrfikësish, bashkë me policinë, kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për shuarjen e flakëve.

E gjithë kjo situatë ka shkaktuar panik te nxënësit e kësaj shkolle. Si pasojë e flakëve dhe frikës së përhapur, nxënësit kanë lënë ambientet e shkollës dhe është pezulluar mësimi derisa është vënë nën kontroll situata nga ana e zjarrfikësve. Policia tha se sapo kanë dalë nxënësit nga shkolla, zjarrfikësit kanë nisur punën për shuarjen e zjarrit, që ka zgjatur për rreth një orë. Sipas të dhënave të policisë, ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë e menjëhershme, duke shuar zjarrin, që për fat të mirë nuk ka arritur të përhapet në ambientet e tjera të shkollës.

Pas shuarjes së flakëve, mësimi ka rifilluar normalisht, ndërkohë që policia ka nisur punën për zbulimin e faktorëve që shkaktuan zjarrin. Menjëherë, një grup hetimi ka nisur punën, duke kontrolluar vendin e ngjarjes, për të zbuluar se nga se ishin shkaktuar flakët. Në përfundim të hetimeve, policia tha se zjarri kishte ardhur si pasojë e një defekti në rrjetin elektrik. Amortizimi i linjës elektrike kishte krijuar një shkëndijë, duke sjellë edhe djegien e disa pajisjeve. Sipas të dhënave nga policia, fillimisht zjarri është vënë re nga punonjësit e atyshëm, të cilët nuk kanë mundur t‘i shuajnë flakët, që janë përhapur me shpejtësi. Në përfundim të hetimeve, policia deklaroi se nga ky zjarr u shkaktuan disa dëme materiale, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz. Dy zjarrfikës kanë pësuar asfiksim nga tymi gjatë ndërhyrjes, por pa rrezikshmëri për shëndetin e tyre. Pas ndërhyrjes së ambulancës së ndodhur në vendin e ngjarjes, gjendja e tyre shëndetësore është normalizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›