E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti surreal i PAMECA-s dhe nje leksion per shqiptaret

Në harkun e dekadës së fundit, Shqipëria është asistuar vençe nga organizma e struktura ndërkombëtare, sidomos perëndimore, gjë që është bërë nëpërmjet qëndrimeve, deklaratave, këshillave, udhëzimeve, "detyrave të shtëpisë", urdhrave, ultimatumeve, ndihmave e grant-eve financiarë, kredive të buta e afatgjata, konsulencave me grupe ekspertësh, pranisë imponuese në Tiranë të misioneve e emisarëve të llojllojshëm, përpjekjes furacake të ambasadave të vendeve me interes të veçantë në vendin tonë, rrethimit me presion të establishment-it politik e qeveritar, protagonizmit të të dërguarve të tyre në jetën publike shqiptare etj., etj. Në gjithë këtë histori janë vënë re edhe flirte me pushtetin e radhës (ndonjëherë edhe me opozitën e radhës), rreshtime partizane, gjykime bardhezi, qëndrime të porositura e të kërkuara arrogante në dëm të mazhorancës apo opozitës; në fund të fundit, janë vënë re - dhe kjo përbën njollat e zeza në historinë shumëvjeçare të marrëdhënieve midis Shqipërisë e diplomacisë perëndimore - sjellje që nuk kanë pasur të bëjnë as me merakun mbi ndërtimin e demokracisë liberale e të shtetit të së drejtës këtejpari, as me merakun për t‘i dhënë një dorë vendit tonë në përpjekjet për t‘u ngritur më këmbë e për t‘u mbrothësuar; përkundrazi, jemi ballafaquar me sjellje të mjera, meskine, të shkujdesura, në shpërfillje të plotë edhe të misionit të tyre, edhe të aspiratës së shqiptarëve.

Sigurisht, ka dhe një anë tjetër të medaljes. Asistenca e të huajve, në mënyrë të veçantë e perëndimorëve, në të mirë të Shqipërisë, mund të ilustrohet me shembuj më të kollajtë e më domethënës, gjë që na e bën të detyrueshme mirënjohjen ndaj të gjitha strukturave, organizmave, organizatave, individëve, diplomatëve, politikanëve, të cilët kanë punuar në Shqipëri e për Shqipërinë me shumë pasion, dashuri e përkushtim. Duhet thënë se vështrimin tonë e ka ndjellë dhe e ndjell më shumë kjo anë e medaljes. Dhe me të drejtë. Pa praninë e të huajve në disa momente kyçe të zhvillimeve shqiptare në periudhën postkomuniste, gjërat do të kishin marrë aq për ters e aq për dreq, sa një zot e di se në ç‘gjendje do të ishim tani. Pa këtë prani - kjo është një bindja ime, të cilën e bazoj në kapacitetet tona skarco të vetëqeverisjes e në pafuqinë tonë për të ndërtuar një rend të demokracisë liberale - ne do të ishim sot nën hyqmin e ndonjë regjimi të komanduar nga turlisoj cubash e hajnash. Pa këtë prani, ne nuk do të kishim mundësinë të organizonim zgjedhje (e kuptoj, janë zgjedhje dosido, por sidoqoftë janë zgjedhje, nëpërmjet të cilave është realizuar edhe ndonjë rotacion pushteti), nuk do të kishim këtë liri shtypi e shprehjeje, nuk do të kishim këto hapësira të aksionit opozitar, e kështu me radhë.

Por le të mbetemi tek ana e zezë e medaljes. Ka një ‘scoop‘ interesant të një dite më parë që na bën të mbetemi këtu. Është fjala për një punë të paqme gazetareske. E përditshmja "Panorama" kish botuar ditën e djeshme një raport tejet skandaloz të PAMECA-s (Police Assistance Mission of the European Community to Albania - Misioni i Bashkimit Evropian për Asistencë Policore në Shqipëri). Është fjala për raportin e vitit 2007, nëpërmjet të cilit kjo strukturë e specializuar e Brukselit bën një vlerësim të përgjithshëm e të detajuar të gjendjes e të problemeve, me të cilat përballet aktualisht policia shqiptare.

Dhe çfarë paska në këtë raport, që na e bën kaq skandaloz këtë të fundit? Në thelb, nuk ka gjë prej gjëje: Vlerësime të rrumbullakosura, konsiderata as mish, as peshk, formulime të bëra me një gjuhë eunukësh, fraza të mërzitshme parafabrikate. Shkurt, raport më të shpifur nuk e bën nëna. Kur e lexon të vijnë në mendje raportet e fjalimet e mandarinëve komunistë të regjimit të Enver Hoxhës, të cilët mbusheshin me fraza të thata, të shkreta e të shkretuara, e me një retorikë përtace, demagogjike e aspak inspiruese, që nga njëri vesh të hynte e nga tjetri të dilte. Madje, nuk do të ishte gabim të thuhej, që fjalimet e udhëheqësve bolshevikë kanë qenë ku e ku më të ngjërueshëm e më të gëlltitshëm sesa raporte si ky i PAMECA-s.

Por nuk mbaron këtu. Raporti në fjalë i PAMECA-s është pjellë e një qasjeje më non-chalant-e. Nonchalance-a burokratike shkon deri në kufij absurdë e surrealë (Samuel Beckett-i e Eugene Ionesko do të zilepseshin prej kësaj fantazie të harlisur mendjesh përtace): Për të hartuar raportin mbi Shqipërinë është marrë një raport mbi Bangladeshin. Janë marrë pasazhe të tëra të këtij të fundit dhe janë shtënë në punë për të bërë vlerësimin e gjendjes së policisë shqiptare thjesht duke zëvendësuar termin Shqipëri me termin Bangladesh. I gjithë mundimi i kësaj pune reduktohet te një kokëçarje kompjuterike, e cila realizohet nëpërmjet një loje të thjeshtë fëmijësh me komandat "copy" e "paste". Siç duket, është një raport që mund ta ketë bërë me lap-top çdo zyrtar i PAMECA-s, teksa ka qenë duke drekuar në ndonjë restorant të Tiranës apo teksa ka qenë duke udhëtuar me avion nga Tirana në Bruksel, ose anasjelltas.

Në gazetën "Panorama", gazetari Ferdinand Dervishi nuk harronte të qesëndiste edhe rrogat e larta, me të cilat paguhen zyrtarët e PAMECA-s e zyrtarë të tjerë të organizmave të tjerë ndërkombëtarë me punë në Tiranë. Dhe me të drejtë. Por nuk është kjo ajo që duhet të na shqetësojë më së shumti. Është diçka tjetër. Është ajo që po ndodh në policinë shqiptare prej vitesh, e cila mbushet me militantë e me mercenarë sa herë që një pushtet i lë vendin një pushteti tjetër. Kjo mazhorancë nuk ka lënë qoshe të policisë së shtetit pa e rifreskuar me gjak blu. Në këtë përpjekje nuk është mjaftuar me largimin e policëve të rekrutuar nga qeveritë e mëparshme mbi bazën e logjikës së ndyrë të "spoils system"-it, por ka larguar të gjithë ata specialistë, të cilët i kanë dhënë Policisë së Shtetit besueshmëri e integritet moral e ligjor (E dini se ku ndodhet fjala vjen Bajram Ibraj? Apo nuk e dini fare se kush është? Ka qenë drejtor i policisë në Ministrinë e Rendit, i cili është dalluar gjithë herën për korrektesë profesionale. Le të dalë ndokush e të thotë se nuk është kështu. Prej një viti është pa punë. PAMECA nuk tha një fjalë të vetme në momentin që e larguan nga arma e policisë, aq e dashur për të).

Raporti i PAMECA-s është një ngjarje, që mund të na shërbejë si leksion të gjithëve; si një leksion, thelbi i të cilit është shumë i thjeshtë: "Asistenca ndërkombëtare për Shqipërinë në ditët e sotme nuk e ka më as atë frymëzim e përmasë etiko-morale, as atë qasje mbi bazën e principeve të shtetit të së drejtës e të demokracisë liberale, të cilat i ka pasur deri ca vite më parë. Kjo asistencë e ‘ka ngushtuar‘ rolin e vet te një marrëdhënie miqësore me pushtetet e te shqetësimi për një Shqipëri të stabilizuar (dhe me Shqipëri të stabilizuar kuptojnë mazhorancat jetëgjata, edhe në rrethanat që këto mazhoranca nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të ndërtojnë regjime putin-iane). Nuk është koha të bëjmë me faj ndërkombëtarët. Është koha të marrim vetë në mbrojtje ca vlera, te të cilat besojmë e të cilat duam t‘i bëjmë tonat. Shkurt, duhet të jemi ne shqiptarët, që duhet të ndërtojmë e të marrim në mbrojtje shtetin e së drejtës e demokracinë liberale".

Ky është leksioni që duhet të nxjerrim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›