E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapja e shtetit dhe kapja e biznesit

Në analizën që i bëhet impaktit negativ të korrupsionit në ekonominë e një vendi dhe sidomos në sfidat e tij të integrimit është fenomeni i kapjes së shtetit - state capture. Është momenti kur korrupsioni në nivele të larta dhe krimi i organizuar imponon politikat dhe vendimet e strukturave shtetërore në çdo nivel të tij. Kohët e fundit janë shtuar rastet kur qeveria po i propozon Parlamentit disa marrëveshje shfrytëzimi të rezervave natyrore të vendit për periudha 99-vjeçare për kompani pa kredibilitetin teknologjik dhe financiar. Qeveria po i kërkon Parlamentit direkt ose indirekt të miratojë dhënien e lejeve të shfrytëzimit për disa projekte shumë të rëndësishme në ekonominë e vendit tonë, ku kredibiliteti teknologjik dhe financiar i tyre nuk është transparent.

Mos vallë jemi në kushtet e rritjes së një fenomeni shqetësues të kapjes së biznesit nga shteti? Dyshimi vjen për faktin se mungesa e kredibilitetit teknologjik dhe financiar nuk i krijon asnjë detyrim qeverisë të fillojë procedurat e mbështetjes dhe aq më pak të përfshijë Parlamentin e një vendi në miratimin e lejeve 99-vjeçare. Ndoshta po ndodhemi në rastet e përsëritura të një fenomeni, që mund të klasifikohet si kapja e biznesit nga shtetit. Duket se disa qeveritarë nxitojnë të krijojnë bankën e projekteve rishitëse në të ardhmen. Projekte që mund të kenë interes për të ardhmen nxitohen t‘u jepen kompanive të ndryshme, të cilat në pamundësi për t‘i realizuar vetë mund t‘i rishesin, e cila në thelb do të jetë një marrëdhënie korruptive rishpërndarëse.

Nuk mundet që Parlamenti i një vendi për dhënie të drejtë prishje 200 ha pyll dhe ripyllëzim për 5 vjet të mund të angazhohet pa u njohur në detaje me kredibilitetin e kompanisë investuese. Nuk mund që Parlamenti i një vendi të mbështesë një dhënie leje shfrytëzimi 99 vjet kur qeveria në relacionin e saj ka vetëm një paragraf për kredibilitetin teknologjik dhe financiar të investitorit potencial. Nuk mund të jepet një koncesion 99 vjet dhe për një investim të premtuar 212 milionë dollarë, me këtë shkallë informimi dhe transparence rreth investitorit potencial.

Edhe justifikimi se mund të gjenden investitorët e interesuar financiarë apo teknologjikë nuk e përligj këtë nxitim të qeverisë.

Nëse vlerësohet se ka investitorë me kredibilitet teknologjik, ata nxiten të bashkëpunojnë që në hapat e parë të investimit gjë që e bën projektin më bindës. Nëse bëhet fjalë për institucione financiare dhe bankare ato nuk mund të bëhen mbështetëse pa u garantuar për suksesin teknologjik dhe pa njohur shkallën e pjesëmarrjes së investitorit real, e cila duhet të jetë mbi 40% nga kompania që do të investojë. Janë bërë disa raste në ekonominë shqiptare siç ishte edhe ai i rrugës Tiranë-Elbasan apo projekte private në fushën e energjisë, të cilat alternojnë për një risk në rritje me kah të dyanshëm lidhur me përmasat dhe rrisqet e korrupsionit. Është e vërtetë që sektori privat duhet të jetë i mbështetur, të gjejë sa më shumë akses, nxitje dhe mbështetje në ekonominë e vendit tonë.

Do të jetë shumë mirë edhe në këndvështrimin afatgjatë që në ekonominë shqiptare të rritet numri i bizneseve të konsoliduara dhe në rritje të profilit të tyre investues. Nga eksperiencat e ministrive të Ekonomisë të disa vendeve evropiane, edhe ministria jonë duhet ta asistojë drejtpërdrejt dhe konkretisht biznesin e suksesshëm shqiptar që të rrisë prezencën e tij në ekonominë shqiptare, por sidomos në mundësitë në rritje në tregjet rajonale dhe ato globale. Sa më shumë të rriten bizneset tona, aq më i madh do të jetë impakti i tyre në ekonominë tonë. Pa investime në rritje edhe në tregje rajonale dhe evropiane aftësia e tyre konkurruese do të zbehet.

Bizneset shqiptare duhet t‘i shfrytëzojnë avantazhet që jep marrëveshja tregtare me BE, duhet t‘i shfrytëzojnë avantazhet e përfshirjes së vendit në CEFTA, ato nuk duhet t‘i shikojnë të pamundura investimet e tyre në tregjet në rritje edhe në vende të tjera. Pjesëmarrja e tyre në krah të Presidentit, Kryeministrit apo ministrave në delegacione ndërkombëtare nuk duhet të jetë thjesht e vetëm protokollare, por e shoqëruar nga projekte konkrete bashkëpunimi, ku qeveritë lehtësojnë reduktimin e burokracive dhe barrierave jo tregtare. Kjo politikë ekonomike mund t‘i bëjë bizneset tona më të suksesshme, do t‘i ndihmojë të rriten më shpejt, do t‘i bëjë joshëse për partnerët strategjikë që duan të investojnë në tregun shqiptar. Eksperienca pozitive vjen nga kompanitë private në fushën e sigurimeve dhe nga Banka Popullore Shqiptare. Ndërsa fenomeni i kapjes së biznesit mund t‘i rrisë kostot e tyre, mund të deformojë vendimmarrjen e tyre, mund t‘u lërë peng të aferave korruptive, të cilat janë armiku më i madh i suksesit të tyre. Politikanët nuk mund të jenë të suksesshëm nga përfitimet individuale dhe të përkohshme të fenomenit korruptiv të kapjes së shtetit. Por edhe biznesi nuk mund të rezistojë gjatë ndaj pasojave negative të kapjes së tij nga politikanët e korruptuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›