Serbet ne Kosove dhe Beogradi
Mbetem sërish me shqetësimin e serbëve të Kosovës, në këto ditë pritjeje për shpalljen e pavarësisë. Shqetësimi buron nga fakti se propaganda intensive beogradase jo vetëm ushqen papajtueshmërinë etnike mes shqiptarëve e serbëve, si dhe bashkëjetesën me shqiptarët, por më keq akoma, i frikëson ata me persekutimin nga shqiptarët, kur të njihet ndërkombëtarisht pavarësia e Kosovës.
Kur UÇK-ja dhe NATO-ja iu kundërvunë forcave të armatosura të Millosheviçit, për të frenuar e për t‘i dhënë fund genocidit ndaj shqiptarëve, serbët e Kosovës u gjendën përballë një dileme jetike. Atyre u duhej të zgjidhnin ose rreshtimin me bashkëkombësit kundër shqiptarëve, fqinjëve të tyre shekullorë, ose mbështetjen hapur apo në mënyrë të tërthortë të shqiptarëve që po persekutoheshin, dëboheshin dhe masakroheshin egërsisht.
Serbët e Kosovës e patën relativisht të vështirë të ruanin neutralitetin, ndaj jo rrallë u shfaqën edhe me qëndrime antishqiptare. Kjo është arsyeja që një pjesë jo shumë e vogël e banorëve serbë në Kosovë u largua pas luftës nga shtëpitë dhe u vendosën në Serbi ose diku tjetër. Pak rëndësi ka tashmë arsyeja e largimit apo e vetizolimit të serbëve nëpër shtëpitë, pronat dhe territoret e banuara prej tyre në Kosovë. Tashmë, kur kanë kaluar më se 8 vjet nga mbarimi i luftës, zhvillimet demokratike në Kosovë me ndihmën dhe nën mbikëqyrjen rigoroze të UNMIK-ut janë evidente.
Ligjërimi i shkëputjes, pra i njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, pritet të ndodhë shumë shpejt. Bashkëqytetarët tanë serbë duhet të reflektojnë, të orientohen në përputhje me rrethanat reale dhe, sidomos, nga interesat dhe ardhmëria e tyre, që premton e garanton liri e begati për të gjithë, pa marrë kurrsesi në konsideratë përkatësitë etnike.
Është momenti që banorët serbë të Kosovës të zgjedhin e të pozicionohen hapur mes nacionalizmit anakronik të Koshtunicës dhe demokracisë euroatlantike. Krerët e Beogradit u bënë thirrje për të zgjedhur të parën, po e ardhmja e pashmangshme dhe më e mirë për të gjithë serbët është dhe do të jetë në vendlindjet e tyre, në shtëpitë, pronat, punët e bizneset e tyre, në çdo shtet të ish-Jugosllavisë.
Besoj se serbët e Kosovës tash e kanë kuptuar që e sotmja dhe e ardhmja e tyre, mirëqenia dhe përparimi, gëzimi real i lirive dhe të drejtave në standardet e demokracisë lidhet drejtpërsëdrejti me pajtimin e pranimin e shtetit të pavarur e demokratik të Kosovës dhe me kontributin e tyre konkret në të. Por me sa duket, këtë prirje të serbëve në Kosovë e dinë mirë edhe drejtuesit më të lartë të Beogradit, që "injektojnë" për çdo ditë ndër ta pasiguri për jetesë në shtëpitë, pronat dhe bizneset e tyre një Kosovë të shkëputur nga shteti serb.
Në këtë vazhdë, propaganda zyrtare serbe, kryesisht me nxitjen dhe me protagonizmin e Koshtunicës, këshillon dhe kërkon nga pakica serbe në Kosovë që të qëndrojë në Kosovë dhe të reagojë me çdo mënyrë kundër njohjes së pavarësisë së saj.
Nacionalistët serbë, që qeverisin aktualisht Serbinë, të përballur me masat e ndërmarra nga UNMIK dhe KFOR-i, kanë shmangur deklaratat agresive ushtarake të Beogradit. Koshtunica, në kuadrin e një situate të pafavorshme ndërkombëtare, kërkon një modus "vivendi" për një ndërhyrje të përligjur ushtarake në Kosovë. Dhe kërkesa e tij është e kuptueshme.
Në kushtet ndërkombëtare dhe ato ku ndodhet populli i Kosovës, që e bëjnë të pashmangshme njohjen e pavarësisë sonë, përsëris fort se duhet t‘u ruhemi provokimeve të Beogradit. Në këtë kuadër duhet të mbajmë parasysh që Beogradi zyrtar komandon dhe që serbët e Kosovës kanë qenë, janë e do të mbeten fqinjët tanë të mirë të respektuar, e të vlerësuar nga politika shtetërore e Kosovës në parametrat më të përparuara demokratike ndërkombëtare.
Serbët e Kosovës, historikisht me shtëpi e prona në këtë trevë, janë dhe do të konsiderohen nga çdo qeverisje e Kosovës si qytetarë me gjithë të drejtat, të respektuar, madje edhe me një status të privilegjuar si pakicë, dhe si urë lidhëse miqësie me Serbinë.
Asnjëherë ne, shqiptarëve dhe serbëve, nuk na ka ndarë etnia, por na ka ndarë politika.
Do të jetojmë në Kosovë dhe do të bashkëjetojmë miqësisht shqiptarë e serbë, si dhe pakicat e tjera, së bashku do të punojmë për një ardhmëri të begatë në Kosovën e pavarur e të integruar në Evropën e bashkuar.