UNMIK-Fatigue
"Lodhje nga UNMIK-u": Ky do të ishte shpjegimi i gjendjes së përgjithshme, politike e morale, në Kosovën e sotme. Mesazhi u dha tashmë bindshëm nga zgjedhjet e 17 nëntorit. Pjesëmarrja e ulët në ato zgjedhje, që konsideroheshin të jashtëzakonshme për nga momenti dhe rëndësia, ishte një sinjal alarmi për këdo që mendon se gjërat do të ndjekin vetvetiu rrugën që kanë marrë nga qershori i vitit 1999, kur Kosova u çlirua dhe u "mor në dorëzim" nga forcat e NATO-s dhe administrata e UNMIK-ut. Nuk e përligjin këtë pjesëmarrje shokuese as moti i keq dhe as zhgënjimi i njerëzve nga politikanët e Kosovës, siç u përpoq të thotë ndonjë ndërkombëtar, si i mirënjohuri G. di Stasi i Kongresit të Autonomive Vendore të Këshillit të Evropës.
E vërteta është se, krahas anëve të pamohueshme pozitive, jeta e tejzgjatur nën administrimin e UNMIK-ut, në një farë mënyre i ka sëmurur si shoqërinë, ashtu edhe institucionet e Kosovës. Mbi të gjitha, ka krijuar bindjen deri te qytetari më i fundit se "ndërkombëtarët", UNMIK-u, janë ata që në fund të fundit vendosin për çdo gjë: Janë ata që qeverisin, janë ata që ofrojnë punë, janë ata që ofrojnë rroga dhe ndihma, janë ata që mbrojnë dhe... janë ata që përfaqësojnë. Po t‘i qëndronim këtij arsyetimi, mund të pritej që pjesëmarrja në votim të kishte qenë edhe më e madhe, në rast se në 17 nëntor në Kosovë nuk do të ishte votuar për Thaçin e të tjerë, por do të votohej për Ryker-in e të tjerë. Mos të ushqejmë iluzione: politikanët e Kosovës (por edhe ata të Shqipërisë, deri diku) janë të "zhvleftësuar" që në krye të radhës: në perceptimin e qytetarit të thjeshtë, ata jo vetëm që nuk vendosin e nuk zgjidhin gjë, por edhe bëhen barrë e rëndë, me rrogat e larta, korrupsionin apo abuzimet që përcjellin karrierën e tyre. Për "intelektualin" kosovar, sidomos për atë që ka arritur t‘i afrohet në një farë mënyre zyrave të UNMIK-ut e që ka arritur të fitojë ndonjë rol në mekanizmat e pranisë ndërkombëtare, politikanët shqiptarë janë bërë madje të bezdisshëm me paditurinë, me provincializmin, me patriotizmin e tyre "primitiv".
Pak rëndësi ka sa të vërteta ka në perceptime të tilla: një skepticizëm e deri armiqësi ndaj "të vetëve" e ushqen vetë mbipushteti që kanë ata të tjerët, "ndërkombëtarët". Në këtë gjendje shpirtërore të sëmurë, edhe faktet më skandaloze të abuzimeve, të korrupsionit e të imoralitetit të nëpunësit më të lartë të UNMIK-ut, janë të destinuara të kalojnë në heshtje, ndërkohë që "prapësia" më e vogël e më të voglit nëpunës së qeverisë së Kosovës të bëhet objekt shigjetimesh të hidhura nga opinioni e nga mediat. Përpara ndërkombëtarëve, një Kryeministër shqiptar, qoftë ky edhe më i lavdishmi hero i luftës për çlirimin e Kosovës, është i detyruar të shpërndajë qeshje pa kuptim, si dikur i ndjeri Rugova. Tejzgjatja e momentit të pavarësimit të Kosovës ka sjellë shumë dëme dhe dëmi më i madh është se ka zhvleftësuar, ka përçarë e zhburrëruar elitën dhe klasën politike kosovare.
Akoma më tej ka krijuar "ex novo" edhe një specie të veçantë, "unmikasin" kosovar, një lloj komsomolasi, që e gjen në role servile nëpër zyrat e shumta të ndërkombëtarëve, në rrugët qendrore të Prishtinës, ku ai bën shoqëruesin, udhërrëfyesin, ndërlidhësin e më së shumti përkthyesin (anglishtja është virtyti i vetëm i shumicës së përfaqësuesve të kësaj specieje). Qenie të reja, pa gjak, të kapura pas vendit të punës, që përpiqen ta ruajnë me mish e me shpirt, duke fshehur sa më shumë identitetin e tyre. Nuk ke shans të flasësh me ta për politikën, për Kosovën, për pavarësinë e saj. Ata as kanë parë e as kanë dëgjuar gjë: ata janë "ndërkombëtarë" dhe përgjegjësit e tyre janë ndërkombëtarë!
Kur të jetë larguar nga Kosova, përpos mirësive që meritojnë mirënjohje, UNMIK-u do të na e ketë lënë edhe këtë rrezik: mundësinë e promovimit politik të kësaj specie unmikasish, që pas aparencës së krijesave laboratorike, sterile, të ftohta e pa nerv (homo faber do t‘i quante Max Fischer), fshehin ambicie e makutëri prej peshkaqeni. Disa prej tyre i kemi parë tashmë në aksion në Shqipëri: ministra, këshilltarë, avokatë, ojëqëistë, që i janë turrur pushtetit për ta plaçkitur atë me babëzinë e një pushtuesi.
Hartuesit e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, në radhë të parë SHBA dhe vendet e BE, e kishin shumë mirë parasysh këtë gjendje apatie dhe dipendence, kur përcaktuan, ndër klauzolat e kësaj rezolute, që pas një periudhe të caktuar kohe (në mënyrë implicite, pas tre vjetësh) duhej përcaktuar statusi i Kosovës mbi bazën e disa kritereve, ku më i rëndësishmi konsiderohet vullneti i popullit të Kosovës. Por kjo u harrua. Ardhja e administratës Bush dhe ndryshimi i prioriteteve të qeverisë amerikane bënë që SHBA ta ulin deri diku profilin e tyre në Kosovë. Dikush në Beograd e gjetkë nxitoi ta interpretojë këtë si një shenjë që tash e tutje SHBA dhe BE do mund ta toleronin për arsye taktike çdo prapësi të Beogradit e të Koshtunicës. Këtë moment "hutimi" në Ballkan, të shkaktuar nga konjuktura jashtëballkanike, Koshtunica e shfrytëzoi paq, duke u përzier gjithnjë e më shumë e gjithnjë e më zishëm në punët e Kosovës.
Në këtë klimë tolerance, vende të veçanta brenda BE shkuan akoma më larg, filluan të artikulojnë qëndrime për një strategji ndryshe ndaj Serbisë, që konsistonte në "përfshirjen" dhe tërheqjen e saj në proceset evropiane dhe jo në izolimin e kushtëzimin e saj. Beogradit iu dërguan sinjalet e para për të filluar bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE, për t‘u afruar në nismën Partneritet për Paqe të NATO-s. U fol, madje, se njësi të forcave speciale të Serbisë, famëkeqit "beretat e kuqe" që kishin vrarë e masakruar në Bosnjë e në Kosovë, do të angazhoheshin në frontet e antiterrorit në Irak e në Afganistan (gjë që për fat të mirë nuk ndodhi). Kështu filluan të qarkullojnë ide mbi lirimin e Beogradit nga detyrimet e Gjykatës së Hagës, madje, për të hequr çdo pengesë për "rehabilitimin" e Beogradit, në mjediset evropiane filloi të kërkohej deri edhe shkrirja e kësaj gjykate. U bënë lëshime parimore ndaj Beogradit, teksa iu njohën këtij "përgjegjësitë e veçanta" ndaj serbëve të Kosovës. Dhe ndodhi kështu që administratorët e UNMIK-ut të fillojnë të vizitojnë Beogradin e të bisedojnë me qeverinë serbe mbi problemet e Kosovës... Dhe ndodhi kështu që serbët e Kosovës u lejuan të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë, ndërkohë që kërcënoheshin nga Beogradi të bojkotonin zgjedhjet e Kosovës... Të gjitha këto u toleruan, duke neglizhuar e duke fyer ndjenjat e shumicës dërrmuese shqiptare dhe, në fund të fundit, duke lejuar shkeljen me dy këmbë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Pra, komuniteti ndërkombëtar lejoi që të rrezikohej ajo çka ai vetë kishte parashikuar të ndërtonte: një Kosovë multietnike, ku të gjithë qytetarët e saj, përfshirë edhe serbët, të ndjeheshin qytetarë të Kosovës. Serbëve u lejohej çdo gjë: u lejohej madje edhe të sulmonin dhunshëm forcat e policisë së UNMIK-ut e të KFOR-it. Kush mund ta harrojë atë që ndodhi në Mitrovicën e veriut, më 8 prill 2002, kur një turmë të rinjsh serbë, nga famëkeqit "rojet e urës", shkaktuan plagosjen e plot 22 policëve, ndër të cilët disa në gjendje shumë të rëndë. Reagimi i policisë së UNMIK-ut në atë rast është emblematik: shefi i saj, Stefan Feller, "e prishi gojën" keq, i quajti agresorët serbë "kriminelë e gangsterë". Vetëm kaq. Asnjë masë, asnjë veprim konkret nuk u mor ndaj kësaj bande të organizuar nga Beogradi: "rojet e urës", që e kishin shtabin e tyre në një klub të ndyrë, por me emrin elegant "Dolce Vita", vazhduan të ushtrojnë postblloqet mbi urën e Mitrovicës e të organizojnë inkursionet e tyre të dhunës si ndaj shqiptarëve, ashtu edhe ndaj policëve e ushtarëve të UNMIK-ut e të KFOR-it. Historia e "rojeve të urës" përbën faqen më të zezë të administrimit të UNMIK-ut në Kosovë, provën më poshtëruese të padëshirës, paaftësisë e të pavendosmërisë së tij e të komunitetit ndërkombëtar, në përgjithësi, për të kryer si duhet misionin e vet në Kosovë.
Kjo klimë tolerance e paprinciptë ndaj Beogradit pati si viktimë të parë vetë serbët e Kosovës. Te këta filloi të lindë iluzioni se Beogradi, dhe jo Prishtina, do të ishte kryeqyteti i tyre. Shembulli funksionues i "rojeve të urës", pra i një force paraushtarake, që nuk njihej por që tolerohej nga administrata e UNMIK-ut, nxiti Beogradin të tentojë maja më të larta, të pretendojë deri në krijimin e forcave policore të veçanta serbe për enklavat serbe në Kosovë, apo ngritjen e gjykatave serbe. Ide të çmendura, që binin ndesh me Rezolutën 1244, por që gjithsesi filluan të gjejnë dëgjues të heshtur në zyrat e nëpunësve të veçantë të UNMIK-ut apo të BE. Duke iu afruar tezave të Beogradit, në mars 2004, ministri i Jashtëm i Italisë, Marco Frattini, hidhte me një farë droje idenë e "decentralizimit" të Kosovës, ndonëse, mbrohej ai, "jo të kuptuar si një zgjidhje definitive dhe jo i tillë, që t‘i ndajë serbët nga një anë e shqiptarët nga ana tjetër" (sot mund të themi se droja e Frattinit ka qenë e pavend: projekti i Ahtisaarit sanksionon pikërisht kantonizimin e Kosovës, "ndarjen e serbëve nga njëra anë dhe atë të shqiptarëve nga ana tjetër").
Ndërkohë, po shpërfilleshin hapur pritshmëritë e shqiptarëve të Kosovës, që deri atëherë kishin mbajtur një qëndrim shembullor. Dukej se gjithçka që gatuhej në zyrat e UNMIK-ut bëhej enkas për të vonuar "çastin e mbramë", përcaktimin e statusit. U shpik deri edhe formula enigmatike "standarde para statusit", që i vuri të gjithë në punë për të zgjidhur dilemën e njohur: "pula vezën, apo veza pulën"? Sepse, dihet, është e kotë të pretendosh standarde pa pasur hapësirë e liri manovrimi, pra pa pasur status. Nëpër tryezat evropiane filloi të flitej gjithnjë e më shumë për të ashtuquajturën "Balkan-Fatigue" (Lodhje nga Ballkani), me të cilën nga njëra anë inkurajohej Beogradi të radikalizohej në qëndrimet e tij për Kosovën, kurse nga ana tjetër, me kërcënimin implicit të një "çangazhimi të Evropës", shkurajoheshin shqiptarët në rivendikimin e kërkesave të tyre të drejta dhe shtyheshin ata drejt një rruge pa fund lëshimesh e shtyrjesh. Mos harrojmë, mesazhi vlente edhe për Malin e Zi, që atë kohë "e kishte ndarë mendjen" për t‘u larguar nga Serbia e për të krijuar shtetin e vet të pavarur.
Në këtë qerthull gabimesh, mosveprimesh, shtyrjesh, shpërfilljesh e tolerimesh, u përgatit edhe terreni për shpërthimet e dhunës në Kosovë, në mars 2004. Përtej habisë së ndonjë naivi, vlerësimi i përgjithshëm për ngjarjet në fjalë ishte se bëhej fjalë për shpërthimin e tensioneve dhe frustrimeve të grumbulluara prej kohësh, pas vitesh të tëra zvarritjeje dhe loje me një krah të administratës së UNMIK-ut e të komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi. Analisti Patrick Moore, në një intervistë me "Radio Free Europe", datë 5 prill 2004, kundërshtonte çdo aluzion për ekzistencën e një "qendre organizative" të trazirave të marsit të atij viti dhe përkufizoi injorimin e çështjes së statusit nga ana e komunitetit ndërkombëtar, si shkakun kryesor të tyre. Kosova nuk do të mund të përjashtohej, në asnjë rast e për çdo shkak, nga procesi i dekolonializimit, i nisur pas Luftës II Botërore, dhe nga procesi tjetër i shpërbërjes së Jugosllavisë, që filloi në vitet 1990, dhe pikërisht në Kosovë. Të njëjtin arsyetim bënte atë kohë edhe një vëzhgues i vëmendshëm i Kosovës, Dushan Janjiç, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Etnike, i cili deklaronte se boshllëku i krijuar nga mungesa e statusit nuk mund të mbushej nga një UNMIK, që tashmë e kishte bërë detyrën e tij.
Sot, në mbyllje të vitit 2007, në vështrim të të gjitha përvojave të mira e të këqija të 8 vjetëve të gjatë të tranzicionit, ka ardhur çasti i mbramë për të bërë hapin e fundit, atë të pavarësisë, për t‘u ndarë me respektin e mirënjohjen e duhur nga UNMIK-u e unmikasit. Për t‘u ndarë sidomos nga kultura e apatisë dhe e mospjesëmarrjes, që periudha e zgjatur e "dypushtetit asimetrik" mbolli në Kosovë dhe që u manifestua në formën e saj më shqetësuese në pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet e 17 nëntorit.