E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët e NATO: Shqipëria i është afruar pranimit

Përfaqësuesit e përhershëm të vendeve të rëndësishme perëndimore i kanë premtuar shefit të diplomacisë shqiptare se kredencialet për samitin e Brukselit janë pozitive. Zyra e Shtypit pranë Ministrisë së Jashtme bëri të ditur se ministri Basha zhvilloi një vizitë pune në selinë e NATO-s në Bruksel, ku u takua me ambasadoren e SHBA-së, Victoria Nuland; ambasadorin e Kanadasë, Robert McRae; ambasadorin e Holandës, Herman Schaper; ambasadorin e Portugalisë, Manuel Pereira dhe ambasadorin e Danimarkës, Per Poulsen-Hansen në NATO. Ambasadorët nga ana e tyre vlerësuan progresin e qëndrueshëm që ka bërë Shqipëria, veçanërisht gjatë ciklit të 9 të MAP-it, kontributin e saj në zhvillimet në rajon dhe qëndrimin e matur dhe konstruktiv në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ata shprehën besimin se me realizimin e objektivave të programuara Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit në Shqipëri në planin politik, ekonomik dhe situatën e brendshme, ministri Basha i informoi ambasadorët mbi masat e marra në kuadër të plan-veprimit të anëtarësimit. Ai theksoi se vëmendja e qeverisë shqiptare është fokusuar në drejtim të reformës zgjedhore dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Ministri Basha i njohu ambasadorët me veprimet konkrete që qeveria shqiptare po ndërmerr deri në Samitin e Bukureshtit dhe më tej, për të konsoliduar dhe çuar përpara reformat edhe pas marrjes së ftesës. Një vend të veçantë në diskutim ka zënë edhe situata në rajon, në veçanti Kosova, dhe sfidat e përbashkëta të aleatëve, para dhe pas shpalljes së statusit. Ministri Basha theksoi angazhimin konstruktiv të qeverisë shqiptare në këtë fazë përmbyllëse të statusit të Kosovës. Duke diskutuar masat e marra nga NATO për t‘iu përgjigjur çdo sfide para dhe pas përcaktimit të statusit, bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë vendimtare që ka angazhimi i plotë dhe i vendosur i trupave të NATO-s në Kosovë për parandalimin dhe frenimin e çdo akti që synon destabilizimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë. Gjatë vizitës në Bruksel, ministri Basha mori pjesë edhe në hapjen e foto-ekspozitës promovuese, "Shqipëria e parë nga ajri", në selinë e NATO-s. Hapja e kësaj foto-ekspozite është një nga aktivitetet e organizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme, në kuadër të promovimit të imazhit të Shqipërisë në NATO dhe BE. Në pritjen e organizuar me këtë rast morën pjesë ambasadorë të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe zyrtarë të lartë të aleancës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›