E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, Mediu kritikon qeverinë

Republikanët kanë vërshuar dje një lumë kritikash në adresë të qeverisë dhe krerëve të Partisë Demokratike. Fondi i përcaktuar nga qeveria për kompensimin e pronave dhe konkretisht shpërblimi i ish-pronarëve të prekur nga padrejtësitë e ligjit 7501 kanë qenë në fokusin e pakënaqësive të republikanëve ndaj qeverisë. Përplasja në distancë e radhës mes kreut të qeverisë dhe aleatit më të ngushtë të demokratëve, Fatmir Mediut, ka nisur pikërisht me vendimin që pritet që Këshilli i Ministrave të miratojë sot në mbledhjen e qeverisë për të shpërblyer rreth 450 mijë pensionistë me 5 mijë lekë të reja për festat e fundvitit. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, e ka cilësuar të pakuptueshëm urdhrin e Kryeministrit Berisha për të shpenzuar 30 milionë dollarë në adresë të moshës së tretë për të kaluar natën e Vitit të Ri, ndërkohë që për pronarët ka lënë një fond minimal. Tashmë jo vetëm ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili është shprehur rreth një javë më parë që nuk ka lekë të mjaftueshme për të kënaqur pensionistët me shumën simbolike prej 5 mijë lekësh në fund të vitit, por edhe kreu republikan është hedhur kundër këtij vendimi. Duke u ndalur te kompensimi financiar për pronën, Mediu theksoi se "është i pakuptueshëm fakti që do të jepen rreth 25-30 milionë USD shpërblim për pensionistët me rastin e festave të fundvitit, ndërkohë që i lihet një vlerë kompensimit financiar të pronarëve vetëm me 5 milionë USD". Sot, në mbledhjen e qeverisë pritet të kalojë vendimi për ndarjen e shpërblimit për pensionistët, i cili ka kundërshtinë publike të dy prej anëtarëve të kabinetit, Ridvan Bodes dhe Fatmir Mediut.

Ligji 7501

"Nëse ka pasur abuzime me 7501, secili duhet të ndeshet me ligjin. Nuk janë efektive deklaratat e atyre që vetëm e quanin këtë ligj leninist, por duhet bërë më shumë me vepra sesa me fjalë", tha Mediu. Duke u ndalur në çështjen e pronave, kreu republikan theksoi se "nuk mund të ketë treg të lirë dhe ekonomi të tregut në Shqipëri pa respektuar të drejtën e pronës private", dhe në këtë drejtim, sipas tij, "ligji 7501 krijon një konflikt të madh social dhe ekonomik mbi të drejtën e pronës në Shqipëri".

Republikanët kanë bërë përpjekjet maksimale dhe amendamentet ligjore, duke denoncuar hajdutërinë e madhe që është bërë në këtë vend me tokat e fermave bujqësore. Kryetari i PR-së pohon se janë mbi 100 mijë ha toka të vjedhura e të transformuara në toka industriale ose toka truall. "Abuzuesit duhet të përballen me ligjin, por ligji duhet të rregullojë në mënyrë të qartë raportin e të drejtës për pronën", tha ai. Sipas Mediut, "situata me pronën vazhdon të jetë kaotike, pasi edhe pse kërkojmë ndalimin e ligjit 7501, mbi këtë ligj vazhdohet të ekzekutohet akoma dhe më tej dhe të jepen toka afër bregdetit, abuzime që kufizojnë në mënyrë të ndjeshme sasinë e tokës për kompensim fizik, dhe që do të bëjnë që fatura financiare të shkojë tej mundësive të shtetit për ta përballuar atë". Numri një i republikanëve, duke shprehur shqetësimin mbi këtë problem, ka deklaruar se "kjo është një çështje që duhet të na bëjë të preokupohemi që të shikojmë se sa është realisht shteti i vendosur në marrëdhëniet me këtë grup shoqëror, por edhe në trajtimin financiar të të përndjekurve politik, ku një pjesë e tyre humbën jetën nëpër burgje dhe internime, dhe për fat të keq e humbën jetën përsëri pa pasur mundësi të kthehen te prona e tyre". Kritikat e republikanëve në adresë të qeverisë kanë ardhur në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, për të zgjedhur strukturat drejtuese të partisë, në rang sekretarësh dhe nënkryetarësh.

PR

Zgjidhen nënkryetarët, shtyhet votimi për sekretarët

Asambleja Kombëtare e Partisë Republikane votoi dje për emrat e tre nënkryetarëve të rinj, në kuadër të zgjedhjes së forumeve drejtuese të partisë. Anëtarët e Asamblesë Kombëtare zgjodhën me shumicën e votave Aleksandër Garulin, Alfred Deshatin dhe Neritan Alibalin, në postin e nënkryetarit të Partisë Republikane. Sipas statutit të miratuar nga Kongresi i PR-së, Asambleja Kombëtare zgjodhi nënkryetarët e partisë, ndërkohë që votimi për zgjedhjen e sekretarëve të PR-së u shty për një ditë tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›