E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: Qeveria po fsheh dokumentet për "Durrës-Kukës"

Përfaqësuesit e opozitës në komisionin hetimor parlamentar Durrës-Kukës, kanë deklaruar dje se qeveria dhe ministritë e tjera nuk iu kanë vënë të plota në dispozicion të gjitha shkresat dhe vendimet e kërkuara. Shqetësimi është ngritur nga nënkryetari i këtij komisioni, deputeti i PS-së, Arben Isaraj. "Unë do t‘u kërkoja edhe një herë institucioneve shtetërore që të japin dokumentet që lidhen me objektin e hetimit", tha Isaraj. Duke shprehur shqetësimin e opozitës, ai ka theksuar se nga të gjitha shkresat që ata kanë kërkuar në komision, ka ardhur vetëm një përgjigje e pjesshme nga Këshilli i Ministrave dhe nuk kanë ardhur përgjigjet nga Ministria e Financave, nga Ministria e Drejtësisë, nga Ministra e Transportit dhe nga Agjencia e Prokurimit Publik.

Duke këmbëngulur te kërkesat e bëra nga opozita në mbledhjen e kaluar, Isaraj ka shprehur edhe një herë interesin e anëtarëve të opozitës në komision, për të pasur në tryezën e punës vendimin nr. 526 të vitit 2006. "Nuk e kuptojmë, ka deklaruar më tej nënkryetari i komisionit hetimor, vijnë të gjitha vendimet- edhe ato të qeverisë Nano -dhe ky vendim, që është i vitit 2006, nuk sillet". Gjithashtu, Isaraj ka kritikuar edhe mungesën e seriozitetit që kanë treguar institucionet e tjera në lidhje me përgjigjet e tyre drejtuar komisionit. Sipas tij, anëtarët e opozitës në këtë komision janë treguar mjaft seriozë në punën e tyre, duke përpiluar me saktësi dhe korrektesë të gjitha kërkesat dhe shkresat e saj. Ndërsa nga ana e qeverisë vijnë përgjigje të cunguara, duke sjellë në komision vetëm relacionet dhe vendimet e Këshillit të Ministrave. Por pretendimet e opozitës në komisionin hetimor Durrës-Kukës janë kundërshtuar nga përfaqësuesit e mazhorancës. Kryetari i komisionit, Aleksandër Biberaj, ka deklaruar se nuk është neglizhuar asnjë kërkesë e bërë nga opozita, por është vlerësuar se të rëndësishme për këtë komision janë vendimet e Këshillit të Ministrave dhe relacionet përkatëse. Gjithashtu, debate në mbledhjen e djeshme të komisionit hetimor ka shkaktuar edhe objekti i hetimit. Sipas deputetit socialist, Taulant Balla, "plani i punës së këtij komisioni nuk mund ta kalojë objektin e caktuar me një vendim të Kuvendit dhe nëse ne nuk ndryshojmë objektin, plani i hetimit nuk e kalon. Janë kufij të caktuar me vendim. Baza e vendimit të këtij komisioni është vendimi i Kuvendit, i cili përcakton objektin. Të gjitha çështjet e tjera janë në bazë të këtij vendimi. Plani i punës përcaktohet në varësi të objektit". Në lidhje me shtyrjen e mandatit të komisionit hetimor edhe për një muaj tjetër, në parim anëtarët e komisionit kanë qenë dakord. Kryetari i komisionit, Biberaj, do t‘i kërkojë Kuvendit në mbledhjen e parë të tij në legjislacionin e ardhshëm, që t‘i shtyhet deri më 22 shkurt afati komisionit hetimor. Gjithashtu, në mbledhjen e ardhshme do të nisë puna edhe me thirrjen e dëshmitarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›