E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët, sot protestojnë në Durrës, nesër në Tiranë

Socialistët kanë ftuar publikisht të gjithë qytetarët të protestojnë për korrupsionin dhe varfërinë. Nënkryetari i grupit parlamentar, Erion Braçe, tha se sot do të zhvillohet një protestë në qytetin e Durrësit dhe nesër në kryeqytet. Ai kërkoi pjesëmarrjen në sheshin "Skënderbe" të çdo qytetari pa dallim bindjesh politike, që vuan njësoj, si i majti, si i djathti, dhe që dhunohet nga qeveria në të drejtat e tija themelore. "Energjia elektrike edhe pse është mall, mbi të gjitha është një e drejtë që duhet ta ketë çdo qytetar në Republikën Shqipërisë, uji edhe pse tregtohet si mall, mbi të gjitha është një e drejtë që duhet ta këtë çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë", u shpreh Braçe. Njëkohësisht, shtoi ai, mundësia për të jetuar është e drejtë qoftë edhe me të ardhura minimale, por për të përballuar jetesën. "Unë po them që të gjithë qytetarët që nuk kanë energji elektrike, të protestojnë kundër kësaj qeverie", tha Braçe. Ai sqaroi se është në dorë të qytetarëve shqiptarë, edhe përmirësimi i qeverisjes edhe rrëzimi i qeverisjes. "Në rast se shqiptarët duan që të përmirësojnë standardin e tyre të jetesës, që tashmë është në dritë të diellit, natyrisht që duhet të rrëzojnë këtë qeveri", vlerësoi Braçe. Ai këmbënguli se nuk ka asnjë lloj shprese, të rrish të presësh deri në korrik të vitit tjetër, të të rritet rroga 5 apo 10%, apo pensioni 5 apo 10% dhe të presësh dhjetorin e vitit tjetër të marrësh 50 mijë lekë shpërblim të vjetra. "Kjo është skandaloze. Në kushtet e këtyre çmimeve dhe në kushtet kur qeveria ka paralajmëruar rritje të çmimeve edhe për shërbimet bazë, furnizimi me energji elektrike, furnizimi me ujë", vijoi Braçe. Ai shtroi pyetjen nëse shqiptarët janë gati ta presin korrikun që t‘ju rritet rroga 5% apo 10% apo t‘ju rritet pensioni 5 apo 10%, apo të marrin shpërblimin tjetër prej 50 mijë lekësh në dhjetorin e vitit tjetër, kjo është zgjedhje e tyre. Braçe komentoi edhe raportin e Institutit Evropian të Statistikave (Eurosat) për treguesit realë të standardit të jetesës në Shqipëri. "Sipas agjencisë zyrtare të statistikave të BE-së, Shqipëria renditet si vendi më i varfër në Evropë. Shqiptarët kanë të ardhurat më të vogla në Evropë", theksoi Braçe. Duke këmbëngulur në faktin se Shqipëria renditet e fundit me indeksin 21, kur Bosnja ka indeksin 26, Maqedonia e ka indeksin 28, Mali i Zi ka indeksin 33 dhe Kroacia 52. "Shqipëria ka të ardhura për frymë më pak, madje 20, 30, 50 madje edhe 200% më pak sesa vendet që pak vite më parë po bënin zonën e luftës në Ballkan", tha Braçe. Sipas tij, më dëshpërues është treguesi që mat shpenzimet, veçanërisht ato për ushqime. "Eurosat" e vendos Shqipërinë ndër vendet më të shtrenjta në Evropë, më të shtrenjtë se Maqedonia, më të shtrenjtë se Bosnja dhe se Mali i Zi, me indeksin 72. Pra sipas "Eurosat", Shqipëria është vendi me të ardhurat më të vogla për frymë në Evropë, ndërkohë që është ndër vendet më të shtrenjta për blerje apo për shpenzime veçanërisht për ushqime në Evropë. Braçe kujtoi se inflacioni në Shqipëri ka 5 muaj që është mbi nivelin e vendosur si target dhe natyrisht në rritje, duke gërryer përfundimisht portofolat e çdo familjeje në Shqipëri. "Ky është treguesi më i qartë i nivelit ekstrem të varfërisë, në të cilin ndodhet sot vendi", konstatoi numri dy i grupit parlamentar socialist. Braçe argumentoi se sot dy të rinj kanë frikë të vendosin kurorë apo të krijojnë familje, për shkak se janë të pasigurt se me çfarë do të jetojnë. "Sot ne nuk kemi drita, madje as këtu në godinën e Kuvendit si çdo ditë tjetër, dritat kanë ikur që në orën 9 e gjysmë, si në të gjithë territorin e vendit. Dhe faji për këtë është i qeverisë dhe i korrupsionit", tha Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›