E Diel, 1 Nëntor 2026

PR: Stop oponencës për reformën elektorale dhe në drejtësi

Në fjalën e mbajtur gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të PR-së, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, vuri në dukje se "mbrapa të ashtuquajturit konsensus i madh për çështjen e integrimit në BE dhe NATO, ne duhet të kemi patjetër një zhvillim të sensit të përbashkët të përgjegjësive, për të realizuar detyrimet e fundit për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO". Ministri Mediu theksoi se është koha për të treguar se Shqipëria është një faktor për stabilitetin në rajon, që e ka gjenezën në stabilitetin politik të vendit tonë. "Në këtë periudhë është e domosdoshme të kuptojmë se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është një realitet që po troket në Shqipëri, por politika shqiptare duhet të organizojë mbështetjen dhe lobingun e saj në mënyrë që samiti i Bukureshtit të jetë një samit i suksesit të përbashkët", deklaroi Mediu. Në këtë drejtim ai u shpreh se "nevojitet bashkëpunimi politik në vend dhe një axhendë e përbashkët veprimi për dy reformat e kërkuara, që janë reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore, të cilat nuk pranojnë justifikime të mëtejshme, por kërkojnë veprim konkret". Sipas tij, "çdo zëvendësim i institucioneve me tryeza që degjenerojnë procesin, do të ishte i dëmshëm, ndaj komisioni ad-hoc i Parlamentit duhet të marrë përgjegjësi të menjëhershme për të diktuar marrëdhënie institucionale për reformën në drejtësi, së pari me funksionimin e tij sipas një axhende të qartë". Sipas tij, deklaratat se politika duhet të bëjë vetëm rolin e dëgjuesit dhe të vendosë vetë drejtësia, nuk janë efektive, sepse është provuar se vetëkontrolli dhe vetëkorrigjimi nuk janë shumë efektivë, prandaj bashkëpunimi dhe koordinimi i kësaj reforme është elementi kryesor. "Zëri i juristëve në këtë proces është i domosdoshëm, por nevojitet bashkëpunimi i qeverisë dhe Parlamentit", tha ai. Në këtë kuadër, ai kërkoi që "opozita të angazhohet seriozisht në këto procese, duke i bërë thirrje zërit të arsyes dhe duke mos rënë pre e qëndrimeve të papjekura me prezantime jodinjitoze, të cilat u bëjnë dëm interesave të Shqipërisë". Kreu republikan solli në vëmendje gatishmërinë e opozitës për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore, që sipas tij, "tregon se për interesa të veta politike, të shmangies së konkurrencës së pandershme, por edhe të përjashtimit politik, apo dominimit në arenën politike, PS nuk ka asnjë paragjykim për t‘u ulur me PD". Duke i bërë një krahasim situatës në të dyja kampet e mëdha politike, Mediu u shpreh se "PS është e gatshme në çdo moment që të ulet dhe të shikojë se si mund të ndërtojë marrëdhënie të përbashkëta me PD për një çështje që është e interesit të saj, por nga ana tjetër një reformë që është e shqiptarëve, siç është reforma në drejtësi, ka oponenca me zëra krejtësisht të paarsyeshëm".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›