Prezenca në Shqipëri kërkon bashkëpunimin e forcave politike
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret shtyrjen e mandatit të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore dhe nxit partitë politike të punojnë së bashku për të çuar përpara reformën zgjedhore në vend. "Prezenca e OSBE-së e sheh me keqardhje faktin që deri tani nuk është arritur asnjë rezultat konkret në reformën zgjedhore", tha ambasadori Robert Bosch, kreu i Prezencës së OSBE-së. Në një deklaratë për mediat, ambasadori Bosch tha se "ne presim që, pa humbur më tepër kohë, të gjitha partitë politike të përfshihen e të kryejnë të gjitha ndryshimet ligjore në përputhje me angazhimet e Shqipërisë si anëtare e OSBE-së, dhe rekomandimet e Raportit Përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it, si dhe me analizat ligjore të përbashkëta të përgatitura me Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës të viteve 2004 e 2007, si dhe standardet e tjera ndërkombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike". "Ne presim të shohim që autoritetet shqiptare të paraqesin përmirësime të mëtejshme në legjislacionin zgjedhor në një mënyrë përfshirëse dhe transparente", tha ai duke shtuar se "OSBE-ja qëndron e gatshme të kontribuojë në procesin e reformës zgjedhore duke lehtësuar dhe ofruar ekspertizë sipas kërkesave". Sipas deklaratës së OSBE-së, zbatimi i reformës zgjedhore në përputhje më standardet ndërkombëtare është një parakusht për integrimin e Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka bërë të ditur se ajo do të asistojë për hartimin e reformës zgjedhore, por vulën draftit do t‘ia japë Komisioni "Demokracia Nëpërmjet Ligjit", i cili njihet ndryshe si "Komisioni i Venecias". Deklarata e djeshme e prezencës së OSBE-së në Shqipëri, tregon se ndryshimi i infrastrukturës zgjedhore në vend do të bëhet nën mbikëqyrjen e rreptë të ndërkombëtarëve, të cilët tashmë nuk kanë besim te klasa politike shqiptare se mund të zhvillojnë një proces serioz negociatash për përmirësimin e Kodit Elektoral, që u faktua edhe nga parapërgatitja e zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit.