E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma zgjedhore, opozita ende pa marrëveshje

Partitë opozitare nuk kanë ende një qëndrim zyrtar sa i takon reformës zgjedhore. Aleatët e Partisë Socialiste në deklaratat e tyre publike japin preferencat personale, por ende larg një pakti të përbashkët. Drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim janë shprehur dje sërish në mbështetje të proporcionalit të pastër. Ndërsa përfaqësuesit e PAD-së dhe PSD-së nuk përjashtojnë këtë opsion, por ngulin këmbë te propozimi i tyre.

LSI

Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, e vlerësoi si një objektiv madhor reformën zgjedhore, duke mbështetur një sistem të pastër proporcional. Sipas tij ky sistem garanton dy çështje të mëdha të përfaqësimit, atë të votës së emigrantëve dhe barazinë gjinore në Kuvend. "Kjo barazi e garantuar në Kuvend do të siguronte edhe një përfaqësim të tillë edhe në qeverisje, në të gjitha nivelet, duke i dhënë fund diskriminimit të pavend të grave dhe përfaqësimit të papërfillshëm të tyre në drejtimin e vendit", nënvizoi Vasili. Ai sqaroi se mbështetja dhe preferenca nga LSI-ja e sistemit të pastër proporcional është bazuar edhe mbi dy premisa të tjera themelore, që kanë qenë eliminimi i fenomenit të Dushkut dhe vendosja e të gjitha partive në një start të barabartë në garën elektorale. "Duke shmangur përfaqësimin fiktiv të partive politike që ka prodhuar paqëndrueshmëri politike të vazhdueshme në qeverisjen e vendit. Njëkohësisht, sistemi proporcional i pastër do të rrisë cilësinë e Kuvendit dhe të bërjes së ligjeve", konstatoi Vasili. LSI-ja thekson se çështja e sistemit zgjedhor është produkt i një konsensusi sa më të gjerë, i cili nuk duhet të vonojë dhe që duhet të vërë në themel të tij interesat e vendit dhe qëndrueshmërisë së tij përpara interesave të ngushta partiake dhe personale.

PSD-PAD

Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, deklaroi se sistemi elektoral i zgjedhur nga partitë e vogla është një sistem i pastër proporcional, ndërsa modeli është një proporcional i personalizuar. "Lidhur me propozimin e LSI-së nuk shoh ndonjë kontradiktë dhe në fakt ky model i saj zgjidh edhe kërkesën kryesore të kësaj partie, që është dhe pikënisje e reformës, eliminimi i ‘Dushkut‘", u shpreh Ceka. Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Ëngjëll Bejtaj, siguroi se për këtë çështje ende nuk është marrë ndonjë vendim. Sipas tij sistemi gjerman, për të cilin janë shprehur partitë e vogla, është një sistem proporcional, madje proporcional gati i pastër. "Përveçse krijon përshtypjen e një mazhoritari për sa i përket 70 zonave, përsëri ai është tërësisht i korrektueshëm në planin proporcional", sqaroi Bejtaj. Për sa i takon qëndrimit të LSI-së, ai vlerëson se ajo ka qenë një deklaratë në kuadër të përfshirjes së grave në politikë, për t‘u dhënë mundësi atyre që të kenë përfshirje në Kuvend. "PSD-ja nuk ka kundërshtuar në asnjë rast një proporcional të pastër, por vlerëson se për mentalitetin shqiptar, elektorati ka ende nevojë të ketë një referencë për sa i takon një zone të caktuar, ku votuesit duan të dinë se kush do të jetë deputeti i tyre. Këtë mundësi, proporcionali i pastër nuk e krijon, kurse ai gjerman po", konstatoi Bejtaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›