Republikanët kërkojnë reformimin e të djathtës
Partia Republikane kërkon nga mazhoranca të bëhet promotore e një bashkimi të së djathtës në qëllime dhe interesa politike. Numri një i republikanëve ka cilësuar si të domosdoshëm daljen e së djathtës nga faza e plotësimit të interesave personale dhe i bën ftesë asaj të bashkohet në bazë të vlerave programore dhe politike që ajo përfaqëson. Duke e cilësuar të nevojshëm reformimin e të djathtës, Mediu theksoi se problemi i reformës elektorale nuk qëndron te sistemi, por te vetë organizimi politik i partive politike, pasi, sipas tij, ka shumë parti që janë organizuar mbi interesa individuale dhe që degjenerojnë si në rolin e mazhorancës, ashtu edhe të opozitës. Në këtë drejtim, Mediu u shpreh se "PR do të bëhet promotore e një bashkimi të së djathtës në qëllime dhe interesa politike, pasi e djathta duhet të dalë nga faza e plotësimit të interesave personale". Kreu i republikanëve është shprehur se "reforma zgjedhore duhet të konstatojë në një kualitet të Kuvendit të Shqipërisë, pasi vetëm kjo do të na sillte një qeverisje më të përgjegjshme. Ndaj mendoj se kjo reformë nuk është thjesht standardi i kartave të identitetit, regjistrit të gjendjes civile dhe përfaqësimit në komisionet zgjedhore, por ka të bëjë me gjykimin tonë të përbashkët për organizimin e sistemit tonë partiak në Shqipëri, i cili shpesh nuk përfaqëson grupet e interesit". Ditën që kërkoi, reformimin e të djathtës, partia republikane ka zgjedhur strukturën e re drejtuese të partisë. "Asambleja Kombëtare ka sot misionin e rëndësishëm për të zgjedhur kualitetin e duhur brenda PR-së, me gjithë kompeticionin që është zhvilluar nga kandidatët që është më se normal në një parti politike", tha Mediu.