E Diel, 1 Nëntor 2026

Ançeloti është i qetë: Janë të gjithë të gatshëm

Milani dhe Arsenali do të luajnë sot ndeshjen deçizive të sezonit të tyre, pasi kanë deklaruar prej kohësh se Liga e Kampioneve është objektivi kryesor i këtyre skuadrave. Pas rezultatit 0-0 në sfidën e parë në Angli, kuqezinjtë janë më të favorizuar, ndërsa Ançeloti u ka dhënë mundësinë të pushojnë disa prej titullarëve, për të evituar dëmtime të mundshme për këtë ndeshje. Trajneri i kampionëve në fuqi ka treguar dje se skuadra e di mirë me çfarë mentaliteti të hyjë në fushën e lojës. "Rezultati 0-0 është shumë i veçantë, pasi na imponon administrimin me inteligjencë të të gjithë ndeshjes. Ne nuk duhet të ngutemi, pasi çelësi i kësaj sfide është kontrolli i lojës. Pato? Ai është një lojtar shumë i ri që ka treguar pjekuri. Se çfarë do të bëjë në të ardhmen, do ta tregojë vetëm koha, por ne presim nga ai gjëra të mëdha. Djaloshi nuk e ndien presionin dhe nuk ka frikë nga vështirësitë, ndërsa e ka marrë veten nga shkelmat që ka pësuar të shtunën. Do të kthehen në formacion të gjithë ata që nuk luajtën kundër Lacios, pra Nesta, Maldini, Kaka dhe Pirlo. Të gjithë janë në formën e duhur për të dhënë maksimumin. Mund të them vetëm se do të luajmë me dy sulmues, pasi jemi në fushën tonë dhe na duhet medoemos fitorja. Ne po e përjetojmë njëlloj këtë sfidë, me të njëjtën trysni si herët e kaluara. Liga e Kampioneve është në ADN-në e kësaj skuadre. Këtu nuk ka rëndësi forma fizike, por kurajoja dhe dëshira për të dhënë maksimumin", u shpreh Ançeloti në konferencën e zakonshme për shtyp para kësaj ndeshjeje. Sipas mediave italiane, dyshja e sulmit për këtë sfidë do të jetë Pato-Inzagi, me këtë të fundit që është riaftësuar nga dëmtimet e zakonshme, duke u kthye në skuadër në kompeticionin që pëlqen më shumë.

Nga ana tjetër, Arsenali nuk po kalon një formë të mirë dhe këtë e ka treguar me dy barazimet radhazi në kampionat, ndaj dy ekipeve që nuk janë ndër më të mirët në Angli, Birmingem dhe Aston Vila. Kjo ka bërë që skuadra e drejtuar nga Arsen Venger të rrezikojë edhe vendin e parë në renditje në kampionat. "Ne kemi pasur një rënie gjatë javës së fundit dhe kjo ishte e dukshme në pjesën e parë ndaj Aston Vilës. Por unë nuk shqetësohem, pasi të gjitha skuadrat e kanë një periudhë të tillë negative", deklaroi Venger, duke larguar zërat për një krizë të "topçinjve". Arsenali do të paraqitet në "San Siro" me një sulmues të vetëm, Emanuel Adebajor, ndërsa alternativat e tij në stolin e rezervave do të jenë Bentdner dhe Van Persi, i riaftësuar nga dëmtimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›