Delegacioni i Federatës Kosovare të Futbollit, takim zyrtar në Presidencë
Delegacioni i Federatës Kosovare të Futbollit, i kryesuar nga kreu i këtij institucioni, Fadil Vokrri, do të zhvillojë një takim zyrtar me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi. Lajmi është bërë i ditur në sajtin e Presidentit të Republikës, që ka konfirmuar se pritja do të bëhet sot në orën 10:30 në Presidencë. Kreu i shtetit shqiptar njihet si një person shumë i pasionuar me sportin e top-këmbës dhe kjo pritje nuk duket e rastësishme.
Përfaqësuesit e Federatës Kosovare kanë mbërritur të hënën në Tiranë për një takim zyrtar me drejtues të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit. Aty është diskutuar gjerësisht për strategjitë e bashkëpunimit ndërmjet FFK-së dhe FSHF-së në të ardhmen. Tema kryesore ka qenë ndihma që institucioni shqiptar do t‘i japë Federatës Kosovare, për të ndërtuar strukturat e nevojshme për pranimin në FIFA dhe UEFA. "FSHF dhe FFK vërejnë me kënaqësi se marrëdhëniet mes tyre kanë qenë dhe janë vëllazërore, të ngushta dhe të shkëlqyera", citohej në deklaratën për shtyp të dy federatave. "Këto marrëdhënie dhe fryma e lartë e bashkëpunimit janë vënë re edhe në takimin e parë mes delegacioneve të nivelit të lartë. Është vënë re një përputhje e shkëlqyer e ideve dhe e strategjive që do të ndërtohen në të ardhmen në të mirën e futbollit. FSHF është e angazhuar për ta ndihmuar FFK-në në të gjitha drejtimet, derisa ajo të arrijë të ingranohet si anëtare me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA". Aty është vendosur të krijohet një Komision Koordinues Bashkëpunimi, i cili do të drejtohet nga sekretarët e përgjithshëm Arben Bici (FSHF) dhe Heroll Saliu (FFK). Në fund të takimit është organizuar një konferencë e përbashkët për shtyp, ku nuk ka munguar interesimi rreth të ardhmes së lojtarëve kosovarë që luajnë me Shqipërinë. "Kjo nuk ishte tema e takimit që u zhvillua sot në federatë. Kryesore në këto momente është që FSHF të jetë afër FFK-së, ashtu sikurse na e kanë lënë detyrë edhe FIFA e UEFA, në mënyrë që të ndihmojmë Federatën e Kosovës për të ndërtuar struktura sipas standardeve të kërkuara", tha Duka. "Në bazë të eksperiencës mendoj se nëse çështja e pranimit do të shkojë për miratim në Kongresin e FIFA-s, nuk do të ketë asnjë votë kundër njohjes së saj". Vokrri theksoi se gjithçka do jetë në dorë të lojtarëve, pa asnjë lloj presioni: "Kur të vijë momenti do të diskutojmë me zotin Duka dhe Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së për të marrë një vendim në të mirë të të dyja kombëtareve. Ne sigurojmë se nuk do të ndërhyjmë në dëshirat e futbollistëve. Synimi ynë nuk është që të përforcojmë Kombëtaren e Kosovës dhe të dobësojmë atë të Shqipërisë. Do të punojmë që si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, të kenë dy kombëtare të forta".