E Diel, 1 Nëntor 2026

Elvin Beqiri fillon stërvitjet nën drejtimin e trajnerit Josa

Elvin Beqiri ka rifilluar stërvitjet me Vllazninë. Përforcimi më i bujshëm i shkodranëve në merkaton e dimrit ka hedhur pas krahëve dëmtimet e njëpasnjëshme dhe shumë shpejt pritet që të japë kontributin e tij për skuadrën e drejtuar nga Mirel Josa. Thyerja e pësuar në këmbën e majtë dhe dëmtimet e shpeshta të të dyja kaviljet kanë bërë që mbrojtësi të mos aktivizohej që prej muajit qershor. "Së fundmi kam qenë për një kontroll në Gjermani, tek ish-fizeoterapisti i Kombëtares Akim Bulinger dhe diagnoza ishte shumë pozitive", pohoi Beqiri. "Ai më dha ‘ok‘ për të rifilluar stërvitjen normalisht dhe ‘detyra‘ e vetme është që herë pas here të bëj masazhe për muskujt, pasi kam kaluar shumë kohë jashtë fushës". Më e keqja është hedhur pas krahëve dhe tashmë Beqiri duhet të gjejë formën optimale për të fituar minutat në këmbë dhe për të vazhduar karrierën. "Sot (dje) u stërvita për herë të parë me skuadrën dhe ndjesia është shumë e mirë, vazhdoi 27-vjeçari. Në këto momente është e rëndësishme që të rifitoj ndjesinë me topin dhe më pas do mendoj për të luajtur. Natyrisht që sapo të jem në gjendje optimale shpresoj të jap edhe unë kontributin tim për Vllazninë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›