E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, Topi "shkarkon" Shkëlqim Muçën

Shkëlqim Muça ka dhënë dorëheqjen si shef i klubit Tirana, ndonëse është ai që udhëhoqi këtë skuadër drejt titullit kampion në sezonin e kaluar. Ndonëse në konferencën e "lamtumirës" Muça është përpjekur ta cilësojë këtë si një vendim personal, burime brenda klubit kanë bërë të qartë se shkarkimi i tij ishte i pashmangshëm, pas një kërkese shumë të veçantë të ardhur nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Ky i fundit u ka kërkuar donatorëve të largojnë shefin e klubit, pasi ka parë nga tribuna VIP e stadiumit "Qemal Stafa" skuadrën e zemrës të shpërbëhet në derbi, ndërsa ka cilësuar shefin e klubit si shkaktarin kryesor të kësaj situate.

Futbolli dhe politika kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë lidhje të ngushta me njëri-tjetrin në vendin tonë. Por gjatë ditëve të fundit është shënuar një tjetër precedent i veçantë, pasi dorëheqja e shefit të klubit Tirana, Shkëlqim Muça, ka ardhur pas kërkesës joformale të kreut të shtetit, Bamir Topi, ish-president i kësaj skuadre dhe tifoz i saj. Presidenti Topi ka qenë në tribunën VIP të stadiumit "Qemal Stafa" gjatë derbit, por pasi ka parë skuadrën e tij të mundet në këtë ndeshje, është larguar i zhgënjyer. "Duke folur si ish-president i Tiranës dhe si tifoz i saj, mund të them se kjo skuadër nuk ka identitet", ishin fjalët e Presidentit Topi në një emision televiziv të së shtunës. Por burime brenda klubit kanë bërë të ditur se para kësaj deklarate, ai u ka bërë kërkesë donatorëve bardheblu të bëjnë ndryshime drastike në skuadër, duke filluar pikërisht nga shefi i klubit, i cilësuar si përgjegjësi kryesor për situatën që po kalojnë bardheblutë. Muça ka qenë ideatori i merkatos verore dhe asaj të janarit, të cilat nuk kanë sjellë frytet e kërkuara, duke e transformuar Tiranën nga një ekip pretendent për çdo trofe, në një skuadër që tashmë lufton për pjesëmarrjen në Kupat e Evropës në sezonin e ardhshëm.

Shefi i klubit, duke qenë në dijeni të kërkesës së kreut të shtetit, nuk ka pritur letrën e shkarkimit, por ka dhënë vetë dorëheqjen e parevokueshme. Megjithatë, ai ka preferuar të mos largohet me polemika, duke hedhur poshtë "teorinë e komplotit". Sipas tij, vendimi ishte pjesë e reformave që po kalonte klubi gjatë kësaj periudhe. "Unë mbaj përgjegjësitë e mia si çdo drejtues për këtë gjendje jo të zakonshme. Ky është një vendim që e kam marrë personalisht dhe pa u ndikuar nga askush", u shpreh ai para mediave, pasi komunikoi dorëheqjen e tij nga posti i shefit të klubit bardheblu. "Arsyeja kryesore nuk ka të bëjë me rezultatet. Te Tirana ka filluar një proces transformimi i klubit, që ka të bëjë me shndërrimin në një shoqëri aksionere për ta çuar më pas drejt privatizimit. Unë jam pjesë e këtij procesi duke qenë drejtues. Siç e dini, unë kam familjarë brenda grupit të donatorëve që po merren me këtë zhvillim. Për të shmangur të gjitha aludimet dhe për ta bërë sa më transparent procesin, për të mos aluduar edhe njerëzit për njëanshmëri, që të mos ekzistojë edhe konflikti i interesave, mendova si zgjidhjen më të mirë dorëheqjen. Kjo është një periudhë ku unë dëshiroj të jem sa më i qetë dhe të marrin fund të gjitha aludimet e mediave, ndaj dhashë dorëheqjen", tha Muça. Ai nuk bëri të qartë se cila ishte e ardhmja e tij, por nuk e hodhi poshtë hipotezën e kthimit, si një trajner te një skuadër tjetër në kampionatin shqiptar. "Sërish trajner? Pse jo, ende jam i ri", deklaroi Muça në konferencën e tij të fundit për shtyp si shef i klubit Tirana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›