E Diel, 1 Nëntor 2026

James dhe dashuria për vitin ‘73

Nga e shkuara në ushtrinë angleze, James
Blunt ka trashëguar fiksimin për përpikmërinë.
Sot ai vazhdon që të mbetet
po ai djalë i tre viteve më parë, por me
një ndryshim pak të "vogël", është më i pasur se
atëherë dhe frekuenton mbrëmje ekskluzive. Këngëtari
dhe ish-oficeri i ushtrisë britanike, James
Blunt, nëpërmjet një deklarate shprehet krenar
për arritjet e tij gjatë periudhës që ka shërbyer
në Kosovë. Përpara se të bëhej këngëtar, Blunt ka
qenë pjesëtar i Forcave Paqeruajtëse në Kosovë
dhe ka udhëhequr 30 mijë trupa drejt kryeqytetit
të vendit, Prishtinë. Ja si shprehet artisti në lidhje
me këtë përvojë dhe për këndvështrimet e tjera
të jetës.
Blunt, me 18 milionë disqe të shitura është
konsideruar si Paul McCartney i ri. Muzika juaj
është pop, ndërsa për sytë e publikut ju jeni një
artist i kompletuar me famë botërore...
A e dini që jeni konsideruar si rokstari më i
padurueshëm i planetit?
Kështu mendojnë gazetat angleze dhe kulmi
arrin kur shkruajnë se është e vërtetë që unë vesh
të brendshme me lëkurë leopardi ose bokser me
fytyrën e Paris Hilton. Kjo është çmenduri. Në
të vërtetë jam një njeri i lumtur. Vetëm me dy
këngë "You‘re beautiful" dhe "1973" kam arritur
që të revolucionoj jetën time dhe kjo më bën të
ndihem mirë.
Pse ishit në Kosovë dhe çfarë mendoni për
pavarësinë e saj? A jeni i lumtur për këtë arritje
të madhe?
Jam shumë i lumtur dhe e prisja. Pas masakrës
së viteve ‘90, ishte e paimagjinueshme që kosovarët
të pranonin bashkëjetesën me serbët. E njoh
mirë mentalitetin e tyre. Në vitin 1999 kam qenë
pjesë e Forcave të Armatosura të NATO-s si oficer i
ushtrisë angleze. Batalioni nën urdhrat e mia ishte
i pari që hyri në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë,
për të marrë kontrollin e aeroportit. Rrugët ishin
mbushur me trupa njerëzish të pajetë. Lufta sjell
vetëm gjak dhe i gjithë vendi mbante erë të keqe.
Thuhet se para se të ishit pjesë e Forcave të
Armatosura ju keni bërë një detyrë tjetër, këtë
radhë jo shumë humanitare...
Është e vërtetë. Unë dhe një grup zyrtarësh anglezë
duhej të monitoronim pozicionet ushtarake
të serbëve për t‘ia sinjalizuar më pas ushtarëve të
NATO-s. Praktikisht kërkonim fshehtas se ku i kishin
fshehur serbët armatimet e rënda. Më pas kalonin
avionët e NATO-s dhe bënin punën e tyre.

Qarkullojnë gjithashtu fjalë se ju keni bërë
një koncert në aeroportin e Prishtinës, a është
e vërtetë?
Kishin kaluar disa muaj që nuk kishte konflikte,
kështu që organizova një spektakël para ushtarëve
serbë, shqiptarë dhe atyre të NATO-s. Të gjithë
ishin dakord për të dëgjuar pak muzikë. Atë natë
unë vërtetova se dhuna nuk është kurrë zgjidhja
e duhur. Në vitin 2002 braktisa ushtrinë dhe ndryshova
në mënyrë radikale jetën time.
Kjo ndodhi për shkak të gjakut dhe erës së
keqe që vinte?
Jeta ushtarake të bën mirë. Gjithçka është shumë
reale. Njeriu ecën përmes një linje që qëndron
në peshore midis jetës dhe vdekjes. Edhe pse nuk
duket e tillë, jeta e ushtarit është një detyrë që
kërkon shumë humanizëm. Nuk mohoj asgjë, sot
oficeri Blunt, është me pushime.
Në rolin e rokstarit jeni bërë një nga viktimat e
preferuara të paparacëve në të gjithë botën.
Ata janë njerëz që nuk njohin skrupuj. Bëjnë
gjithçka për të ta bërë jetën ferr. Një herë në Londër
jam ndier vërtetë keq. Ishin një grup djemsh dhe
pasi kisha bërë një shëtitje filluan të fishkëllenin:
"Mbrëmë në darkë, teksa jepje koncert, e dashura
jote (ajo ishte modelja çeke Petra Nemcova) u mbyll
në banjën e pub-it me një djalosh. Qëndruan
brenda për një orë. Ajo bërtiste vazhdimisht se i
pëlqente". Apo: "Nënës tënde i vjen turp prej teje,
është e vërtetë që je homoseksual?". Publikojnë
foto pa vlerë për gazeta të pa vlera. Në Britaninë
e Madhe gazetat fitojnë në një javë, sa diskografia
e një viti.
A keni anektoda të tjera mbi raportin tuaj të
vështirë me botën e thashethemeve?
Sa të doni. Tre muaj më parë disa gazeta përshkruan
në detajet më të vogla një udhëtim që
kisha bërë me helikopter në Francë. Ato kishin
shkruar gjithashtu se për shkak të një stuhie kisha
kërkuar ndihmë për t‘u ulur. Fatkeqësisht unë
nuk kam drejtuar prej
kohësh një helikopter
dhe ato ditë kam qenë në
shtëpinë time në Ibica.
Thuhet se në Ibica ju
keni pritur shumë herë
miken tuaj të zemrës,
Paris Hilton...
Një njeri nuk mund ta
imagjinojë se sa miq ka
anembanë botës, derisa
të bëhet pronar i një shtëpie të madhe, ashtu si
ajo që kam unë në Ibica. Në shtëpi kam ftuar miq
pafund. Fytyra të njohura, por edhe njerëz të cilët
nuk i kam parë kurrë më parë.
Interesante, po Paris Hilton-in e keni ftuar?
Po ka qenë dhe së bashku jemi dëfryer në shumë
"festa", duke shëtitur nëpër botë. Ajo është një
vajzë e thjeshtë, inteligjente, ka një jetë të bukur
dhe shumë para. Ndërkohë që të tjerët harxhojnë
kohë duke folur për të, ajo shijon jetën dhe bëhet
gjithnjë e më e pasur.
Një nga pasionet e zonjushës Hilton mbetet
muzika, apo jo? Mos më thoni që ju pëlqen disku
i saj?
E ka bërë për t‘u argëtuar, pa e marrë shumë
seriozisht. Ishte një koleksion këngësh të thjeshta
dhe pa shumë yçkla. Ndonjëherë thjeshtësia është
vlerë. Unë pëlqej muzikën që buron nga thellësia, e
shoqëruar me fjalë dhe emocione, diçka që të bën
të mendosh.
Meqë ra fjala tek
ëndrrat dhe shpresat e
mëdha, ju jeni një tifoz
i Barak Obama-s?
Unë bëj tifo që Obama
dhe Hilari Klinton
të drejtojnë së bashku
Amerikën. Njëri si
president dhe tjetri si
zëvendës. Një grua dhe
një burrë zezak, në drejtim të demokracisë më të
fuqishme të planetit, do të ishin sinjali i një bote
që ndryshon drejtim.
A ishit i emocionuar kur u ulët në piano
gjatë festës kur u martua Elton John me David
Furnish?
Mendova: "Nëse nuk do të arrij të shes më CD,
mund të riciklohem si një këngëtar dasmash".
Bëj shaka. Elton është një njeri i mrekullueshëm,
ka zemër dhe di të kujdeset për atë që ka më pak
përvojë se ai vetë. Që në fillim më ka mbështetur
duke besuar në çdo gjë që unë bëja.
Kush nuk ju do, thotë se ju jeni djali i përkëdhelur
i një familjeje fisnike të pasur, pronare
e disa vilave në të gjithë Anglinë...
Një gënjeshtër tjetër. Im atë është një zyrtar i
ushtrisë dhe çdo vit fiton një të tretën e asaj që
fitojnë muzikantët e grupeve që më shoqërojnë
nëpër koncerte. Po ç‘djalë i përkëdhelur...
Prindërit më kanë ndihmuar vetëm që të blej
shtëpinë time në Ibica. Që jem më i qartë për
ata që ndoshta nuk e kuptojnë, gjithçka e kam
paguar me paratë e mia, ato që kam fituar nga
shitja e miliona albumeve, nga dy CD-të e mia
"Back to Bedlam" dhe "All the lost souls". Ata janë
kujdesur për të tjerat, sepse unë kam qenë i zënë
me koncerte.
Të jetosh në Ibica nuk duhet të jetë maksimumi
për një njeri që i urren thashethemet dhe
fotografët. Nuk jeni paksa kontradiktor?
Varet nga mënyra e jetesës. Për mua periudha
e festave dhe "budallallëqeve" deri në orët e para
të mëngjesit ka perënduar. Tani dua të krijoj një
familje për të cilën të shqetësohem. Sfida e vërtetë
nuk është më të dalësh me një vajzë kopertinash.
Herët apo vonë, nëse bën këtë lloj pune, do t‘ia
arrish. Është më e vështirë të gjesh një grua që e
do dhe të bësh fëmijë. Ju habita? Di të bëj edhe më
shumë, të jetoj me të dashurit e mi në Spanjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›