Krasniqi, në pritje të Çagaev
Luan Krasniqi shpreson të realizojë ëndrrën e tij: të fitojë titullin e kampionit të botës. Por gjithçka do të varet nga vendimi i Federatës Botërore të Boksit (WBA). Krerët e këtij institucioni duhet të miratojnë vendimin e Ruslan Çagaev, i cili kërkon të mbrojë vullnetarisht titullin e kampionit të botës në versionin WBA kundër boksierit kosovar. Krasniqi nuk mundohet ta fshehë padurimin për realizimin e kësaj sfide. "Natyrisht që do të isha i lumtur nëse do të më jepet kjo mundësi. Për më tepër që Çagaev ka folur rreth një përballjeje të mundshme me mua", ka thënë Krasniqi për faqen e tij zyrtare në internet. Boksieri junikas nuk dëshiron të mendojë se WBA mund ta refuzojë këtë duel. "Po pres dhe besoj në negociatat e promotorit tim, Klaus-Peter Kohl. Pas refuzimit të Dimitrenkos, gjithçka ishte e paqartë dhe tani mendoj se kam një mundësi shumë më të mirë. Do të isha budalla nëse nuk do të shfrytëzoja këtë mundësi", theksoi ai.