Liverpul, hapen bisedimet për rinovimin e Krauç
Pasi ka siguruar qëndrimin e Havier Maskeranos edhe për katër vjet të tjera, trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, filloi bisedimet me Pitër Krauç, për të rinovuar kontratën në "Anfilld Roud". E ardhmja e lojtarit të Kombëtares angleze ka qenë objekt spekulimesh, sepse pas afrimit të Fernando Torres ai nuk ka arritur të luajë rregullisht në formacionin titullar. Për Krauç janë interesuar Mançester Siti dhe Portsmuth, megjithatë Liverpuli dëshiron ta mbajë sulmuesin, duke i ofruar një kontratë afatgjatë. Benitez ka bërë të ditur se bisedimet kanë filluar prej pak kohësh dhe se vetë lojtari ka shprehur dëshirën për të qëndruar në skuadër. "Me Krauç kemi filluar bisedimet për të rinovuar kontratën që ai ka me klubin dhe vetë lojtari më ka pohuar se dëshiron të qëndrojë me ne", pohoi Benitez për mediat britanike. "Menaxheri i tij ka folur me Rik Perrin dhe i ka komunikuar se sulmuesi ishte i gatshëm të fillonte bisedimet për të vazhduar karrierën te Liverpuli".