Anëtarësimi në NATO, vendet e Adriatikut japin "provimin" në mars
Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia javën e ardhshme do të jenë në "provimin" para ambasadorëve të NATO-s, ku do t‘u përgjigjen pyetjeve të tyre mbi fazën e fundit të planit të anëtarësimit të këtyre vendeve në NATO. Në bazë të kësaj note, e cila do të jetë përfundimtare, do të varet edhe fati i secilit shtet për t‘u anëtarësuar ose jo në strukturat euroatlantike. Pika kryesore ku do të përqendrohet ky kontroll do të jetë realizimi i reformave të kërkuar muaj më parë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Shefer, ka këshilluar tri shtetet që këto reforma duhet të realizohen deri në pranverë, kur do të zhvillohet edhe Samiti i Bukureshtit. "Niveli i testimit nuk ka qenë asnjëherë më intensiv se tani për të tria vendet. Madje, përfaqësuesit e tyre do të vijnë në Bruksel së shpejti në javët e ardhshme, ku do të raportojnë dhe do t‘u përgjigjen pyetjeve të detajuara dhe kritike të ambasadorëve të NATO-s", është shprehur Shefer. Sipas tij, kjo do të jetë një element i rëndësishëm për takimin e ministrave në mars, ku ministrat e Jashtëm bashkë me ato të vendeve të Adriatikut do të mblidhen në Bruksel dhe në fund do të merret një vendim politik. Ndërsa lidhur me Kosovën, Shefer ka konfirmuar ruajtjen e mandatit të NATO-s, edhe pa një rezolutë të re të OKB-së, duke u mbështetur te Rezoluta 1244. "Ndoqa vendimin e BE-së në dhjetor, është shumë pozitiv për BE-në kundrejt Kosovës, si dhe për bashkëpunimin midis BE-së e NATO-s. NATO do të qëndrojë në Kosovë dhe ajo do të vazhdojë të sigurojë mbrojtjen e mazhorancës e të minoriteteve në Kosovë", tha Shefer. Zgjerimi i mundshëm i NATO-s me tri vendet e Adriatikut dhe çështja e Kosovës e bëjnë Ballkanin një prioritet kryesor jo vetëm për Bashkimin Evropian, por edhe për NATO-n. Një rast i veçantë ky që pritet të luajë rol në favor të rajonit. Për t‘u bërë pjesë e NATO-s, një kërkesë disavjeçare kjo e Shqipërisë, vendi ynë po punon për realizimin e reformave të kërkuara. Po arrihet në fund të finishit dhe ende vendi ynë nuk ka realizuar asnjë nga pikat e kërkuar nga ndërkombëtaret për t‘u bërë pjesë e NATO-s. Ndaj, për të mos e humbur sërish këtë shans, ashtu siç ka ndodhur në vitet e shkuara, politika shqiptare i ka thirrur mendjes, duke ofruar frymën e bashkëpunimit. Iniciativë kjo e ndërmarrë pak ditë më parë nga opozita shqiptare. Dy kushtet kryesore që duhet të realizojë vendi ynë për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO, është realizimi i reformës në sistemin e drejtësisë dhe atë zgjedhore, punë e cila tashmë ka nisur prej disa ditësh. Partitë politike janë ulur në një tryezë të përbashkët dhe po diskutojnë konkretisht për reformën në sistemin e drejtësisë, reformë e cila duhet të mbarojë para muajit mars, nëse duan që të kapin afatet për ftesën në NATO, po e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me reformën zgjedhore, puna e së cilës aktualisht është e paralizuar. Tashmë mbetet të presim dhe të shohim sesa e gatshme dhe sesa vullnet ka politika shqiptare për të integruar Shqipërinë në struktura euroatlantike dhe kjo bëhet vetëm duke dhënë konsensus e zgjidhje për çështje konkrete.