PDS: Të nisë puna paralelisht për reformën zgjedhore dhe në drejtësi
PDS-ja ka kërkuar dje që politika të punojë paralelisht për realizimin e reformave në sistemin zgjedhor dhe në drejtësi. Kjo kërkesë është bërë publike nga sekretari për çështjet ligjore në PDS-së, Dritan Devole. Në komunikimin e tij me median, funksionari i PDS-së ka theksuar se "duke vlerësuar që shteti i së drejtës nënkupton një sistem ligjor që funksionon si i paanshëm, i pavarur dhe profesional dhe që do të duhet të meritojë besimin e publikut, PDS kërkon që puna për realizimin e reformës në drejtësi të jetë larg tendencave për uzurpimin e këtij pushteti". Sipas tij, "duke vlerësuar se një pushtet gjyqësor i pavarur dhe transparent është garanci për qytetarët, PDS kërkon që puna për realizimin e reformës në drejtësi të mos përfshijë vetëm ndryshimet e mundshme të ligjit penal dhe civil, por si pjesë e rëndësishme e kësaj reforme të jetë realizimi i ndryshimeve ligjore, të cilat do të mundësonin krijimin e një sistemi gjyqësor garant të së drejtës". Në kuadër të ndryshimeve që janë propozuar në ligjin organik të pushtetit gjyqësor, PDS ka tërhequr vëmendjen që të shihen edhe çështje të tilla që kanë të bëjnë me administrimin e pushtetit gjyqësor, karrierën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, inspektimin e punës dhe veprimtarisë së tyre, forcimin e kapaciteteve ndihmëse dhe të burimeve, zbatimin e vendimeve gjyqësore, si dhe në çështjen e trajtimit të të paraburgosurve, të miturve dhe të kushteve në paraburgim.