Qeveria shqiptare reagon vetëm online
Ka kaluar një javë, që politika shqiptare po përplaset me atë maqedonase për të zgjidhur problemin e vizave, ndërkohë që ajo që vihet re në gjithë këtë "betejë" mes dy fqinjëve të vjetër është mungesa e guximit që ka pushtuar qeverinë shqiptare për të treguar veten se është në të njëjtin nivel me Maqedoninë. Deklaratave zyrtare të Maqedonisë në adresë të Shqipërisë, shteti ynë i përgjigjet me frikë vetëm në mënyrë online. Ministria e Jashtme ka bërë me dije gjatë kësaj jave që dy vendet janë në procese negocimi me njëra-tjetrën, por komunikime të tilla kanë dalë vetëm në faqen e internetit, duke shmangur konferencat për shtyp apo komunikimet zyrtare përballë publikut. Bashkë me këto, është ulur edhe përqindja e besimit të shqiptarëve mbi përfundimin me sukses të negociatave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, përderisa pala shqiptare shmang daljet publike dhe preferon të informojë nëpërmjet internetit ata të cilët i zgjodhën drejt pushtetit. Ministria e Jashtme e ka kompensuar shmangien e deklaratave zyrtare për shtyp, duke i publikuar qëndrimet e saj vetëm në faqen zyrtare të këtij institucioni. Kjo shmangie me siguri e ka një qëllim, çka perifrazohet me mungesën e guximit nga pala shqiptare për të përballuar ashtu siç duhet situatën dhe për të treguar që shqiptarët janë në të njëjtin nivel dhe pse jo më lart se maqedonasit. Më të angazhuar dhe më të prekur gjatë kësaj jave kanë qenë deputetët e Kuvendit, sesa ministrat dhe qeveria në tërësinë e saj, ndryshe nga pala maqedonase. Deputetë të djathtë dhe të majtë kanë vërshuar kundër vendimit të Maqedonisë një sërë deklaratash me tone të larta kritike ndaj fqinjëve tanë, ndërkohë që qeveria tregohet memece, duke shmangur konferencat, ngritjen e zërit ndaj një shteti si ai me emrin Maqedoni dhe duke i publikuar reagimet e saj zyrtare vetëm në mënyrë virtuale, në faqet e internetit. Një tjetër fakt që tregon që "qeveria" jonë po tregohet frikacake ndaj palës maqedonase është deklarata për shtyp e sekretarit organizativ të Partisë Demokristiane, Edmond Stojku, i cili dy ditë më parë i ka konsideruar deklaratat e zyrtarëve të lartë maqedonas si raciste dhe antishqiptare, duke kërkuar që ministria jonë e jashtme të reagojë me vendosmëri kundër vendosjes së perdeve të vizave. Ajo që të bën përshtypje është fakti që PDK-ja përfaqësohet në Ministrinë e Jashtme me një zv/ministër, Anton Gurakuqin, ndërkohë që nxjerr në komunikim për shtyp përfaqësuesin e saj më të lartë kompetent për këtë problem, sekretarin e saj politik. Ky rast tregon hapur shmangien e debateve publike nga qeveria shqiptare, ndërkohë që ajo maqedonase vazhdon ta konsiderojë vendin tonë si shtet të botës së tretë. Projekti i qeverisë maqedonase, për të vendosur regjimin e vizave me Shqipërinë, vështirëson lëvizjen e lirë të qytetarëve, të biznesit e mallrave nëpërmjet të dyja vendeve, por, nga ana tjetër, shkon edhe kundër frymës integruese për në Bashkimin Evropian, ku është përfshirë Shqipëria dhe Maqedonia. Qëndrimi i Shqipërisë me Maqedoninë mund të konsiderohet i njëjtë me problemet që herë pas herë emigrantët shqiptarë kanë me shtetin grek. Ndonëse heshtja e qeverisë sonë, në rastet me Greqinë është cilësuar e mirë, për shkak se në vendin helen ka rreth një milion emigrantë shqiptarë, në rastin konkret me Maqedoninë heshtja përkthehet me frikë dhe pafuqi. Ajo çka na ngelet të besojmë nga negociatat e fshehta mes Shqipërisë dhe Maqedonisë është heqja e këtij "postblloku" vizash, e cila shpresojmë të konkretizohet së shpejti. Ndërsa, nga ana tjetër, të gjithë ata qytetarë, të cilët duan të dinë diçka më shumë mbi mënyrën sesi politika qeveris vendin, mjaftojnë të navigojnë në faqen e internetit. Kjo tregon një apati dhe indiferentizëm nga ana e qeverisë, e cila zgjedh rrugën më të shkurtër për të transmetuar informacionin nëpërmjet internetit dhe lë mënjanë angazhimin e saj politik.